Kurti jep lajmin e mirë: Ky shtet po e mbështet Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave

Aktuale

Kurti jep lajmin e mirë: Ky shtet po e mbështet Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave

Më: 19 nëntor 2022 Në ora: 15:31
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës së tij zyrtare në Estoni,

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës së tij zyrtare në Estoni, është takuar me homologen e tij, Kaja Kallas dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë.

Kurti përmes një postimi në Facebook, bëri të ditur se kryeministrja Kallas ofroi mbështetjen e plotë për Kosovën në rrugën euroatlantike dhe në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë.

“Në drekën me Ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, Urmas Reinsalu, theksuam ngjashmëritë e përvojave historike dhe situatave gjeostrategjike të Kosovës dhe Estonisë. Falënderova ministrin Reinsalu për mbështetjen e Estonisë ndaj Kosovës në politikën e jashtme”, ka shkruar Kurti.

I pari i vendit ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ka vendosur marrëdhënie bashkëpunimi me Akademinë Estoneze të E-Qeverisjes (eGA).

“Si rezultat, ekspertë nga Estonia po ndihmojnë Kosovën në hartimin e strategjisë së re për E-Qeverisje, që do të shërbejë si udhërrëfyes për transformimin digjital”, tha Kurti.

Sipas kreut të Qeverisë, fushat e bashkëpunimit që forcojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve ishin tema e takimeve të ndara në Parlamentin e Republikës së Estonisë, Riigikogu, me Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Estonisë, Jüri Ratas dhe Kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit, Andres Sutt.

“Avancimi i bashkëpunimit në fusha të ndryshme, me theks te qeverisja digjitale dhe qëndrimet e dy qeverive mbi zhvillimet dhe sigurinë në kontinentin e Evropës, ishin pjesë qendrore e diskutimeve në takimet që patëm bashkë me Zëvendëskryeministren e Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi, Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ambasadoren jo rezidente të Kosovës në Estoni, Shkëndije Geci-Sherifi dhe këshilltarin tim, Lulëzon Jagxhiu”, përfundoi Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat