Armend Muja iu përgjigjet kritikuesve, ‘publikon’ marrëveshjen Kosovë-Serbi

Aktuale

Armend Muja iu përgjigjet kritikuesve, ‘publikon’ marrëveshjen Kosovë-Serbi

Më: 24 nëntor 2022 Në ora: 19:31
Armend Muja

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, me anë të një reagimi në Facebook, i është kundërpërgjigjur kritikuesve për marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, për çështjen e targave ilegale.

Ujdia u arrit të mërkurën mbrëma, njoftoi kryediplomati evropian, Josep Borrell, pasi të hënën ai qortoi Kosovën për dekonstruktivitet.

Megjithatë, Muja nga Vetëvendosja ka dalë me sqarim mbi këtë temë, teksa në një formë vizuale e me tekst në të, ka publikuar në Facebookun e tij se çfarë është arritur në detaje mes Kosovës dhe Serbisë.

Ligjvënësi i LVV-së trego saktësisht se çfarë është refuzuar të hënën dhe çka u dakordua të mërkurën.

Sipas tij, të hënën u refuzua propozimi që “nën fasilitimin e BE-së, palët janë pajtuar për masat me qëllim shmangien e përshkallëzimeve të mëtejshme”.

“Kjo do të thotë se Seria nuk do të lëshojë targa me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe se Kosova do të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Kjo marrëveshje u mundëson palëve që të eksplorojnë një zgjidhje të qëndrueshme në lidhje me targat e veturave brenda kontekstit të normalizimit të marrëdhënieve. Palët do të ftohet në BRuksel ditët në vijim për t’u pajtuar me hapat e ardhshëm”, thuhet në pjesën që sipas Mujës quhet ‘refuzimi i së hënës’.

Për dallim nga një propozim i tillë që ndodhi të hënën e që më pas u refuzua, të mërkurën pati dakordime mes palëve.

Përveç pjesës së lartpërmendur, aty thuhet se Kosova dhe Serbia janë pajtuar që përqendrohen plotësisht për normalizimin e marrëdhënieve, siç është paraqitur këtë shtator nga emisari i BE-së, Miroslav Lajçak dhe i mbështetur nga Franca dhe Gjermania.

Pra, Muja shkroi se të mërkurën pati dakordim mes Prishtinës dhe Beogradit që BE-ja do tësigurojë që çështjet dhe parimet kyçe lidhur me normalizimin do të trajtohen në kontekstin e propozimit evropian.

“Palët do të ftohen në ditën në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm të propozimit evropian”, thuhet tutje, në marrëveshjen që e ka publikuar Muja.

Të enjten, kryeministri Albin Kurti tha se të hënën në mbrëmje i është ofruar një dokument si dakordim i përbashkët, i cili i ka pasur 95 fjalë dhe fjalët Francë dhe Gjermani s’kanë qenë askund dhe nuk i referohej propozimit franko-gjerman ose të bashkimit Evropian, përveç çështjes së targave te çështja e këtij propozimi.

Por, në atë se çfarë pati dakordim mbrëmë mes kryenegociatorëve të Prishtinës dhe Beogradit, për dallim nga e hëna, kishte dyfish më shumë fjalë në tekst.

“Pra, nuk thuhet propozimi, por thuhet ‘do të zgjidhet çështja e targave, sipas atij propozimi’ pa thënë franko-gjerman. 95 fjalë. Ndërkaq, kjo, që është dakorduar mbrëmë i ka 194 fjalë, është më shumë se dyfishi i tekstit. Janë krejtësisht të ndryshme”, shtoi Kurti në Kuvendin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat