“Operacioni u krye me sukses, pacienti vdiq”, policia nis hetimet për rastin në QKUK

Aktuale

“Operacioni u krye me sukses, pacienti vdiq”, policia nis hetimet për rastin në QKUK

Më: 6 janar 2023 Në ora: 09:45
Mjeket

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka autorizuar Policinë e Kosovës që t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për rastin e pacientit që vdiq dy ditë më parë në QKUK, pas një operacioni të rrallë në zemër.

Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës kanë konfirmuar se Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme, me qëllim të sqarimit të kësaj çështjeje dhe eventualisht në rast të paraqitjes së elementeve të ndonjë vepre penale, do të veprohet tutje me këtë rast.

“Rastit të cilit i referoheni, mund t’iu njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme, me qëllim të sqarimit të kësaj çështjeje dhe eventualisht në rast të paraqitjes së elementeve të ndonjë vepre penale, do të veprohet tutje me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Kardiokirurgu i Klinikës së Kardiokirurgjisë në QKUK, Kushtrim Shala, e kishte shpërndarë një operacion të kryer si sukses profesional në rrjete sociale, por pacienti kishte ndërruar jetë disa orë pas intervenimit. Vdekja e pacientit mori vëmendje të madhe dhe Shala mori kritika dhe edhe nga kolegët e tij.

Drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, deklaroi  se mjekët që e kanë kryer këtë operacion nuk janë kompetent për këtë intervenim, pasi nevojitet përvojë e gjatë dhe ekspertizë.

Pas tërë reagimeve, reagoi edhe vetë kardiologu Shala. Ai tha se operacioni i diseksionit akut aortik, që e ka kryer ai, është jashtëzakonisht vdekjeprurës nëse nuk trajtohet me kohë.

“Pas thirrjes për konsultë urgjente nga Kardiologjia, e kam parë pacientin dhe kam vendosur indikaconin për operim emergjent. Pacienti ishte në margjinat e jetës. Ishte në iskemi të të gjitha organeve të trupit, me paralizë të extremiteteve të majta, shok kardiogjen, hypotension (për shkak të tamponadës)”, ka thënë ai ndër të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat