Pacienti vdiq disa orë pas operimit, Oda e Mjekëve nis hetimet ndaj mjekut dhe drejtorit

Aktuale

Pacienti vdiq disa orë pas operimit, Oda e Mjekëve nis hetimet ndaj mjekut dhe drejtorit

Më: 6 janar 2023 Në ora: 11:40
Pleurat Sejdiu

Oda e Mjekëve të Kosovës ka nisur hetimet për kirurgun e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Kushtrim Shala dhe Drejtorin e Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj, lidhur me rastin e pacientit të operuar i cili kishte vdekur disa orë pas intervenimit.

Lajmin e ka konfirmuar Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.

“Kanë nisur hetimet në dy nivele pas vdekjes së pacientit mundësia e shkeljeve profesionale po edhe shkeljeve etike si prej anës së mjekut ashtu edhe të drejtorisë”, ka deklaruar Sejdiu.

Ai ka sqaruar edhe procedurat se si do të hetohet rasti, duke shtuar se deklaratat do t’i merr Prokurori i Odës.

“Janë çështje të prokurorit të Odës i cili i merr deklaratat e tyre. Presim edhe raportin prej inspektoratit shëndetësor i cili i mbledhë gjitha dokumentacionet dhe ia dorëzon Odës kjo është procedura. Pastaj edhe nëse është fut edhe prokuroria e shtetit që siç kemi marr vesh që po me siguri do të lypet edhe ekspertizë”, ka thënë Sejdiu.

Për këtë çështje, Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë që të kryejë hetime nëse ka pasë ndonjë vepër penale.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme, me qëllim të sqarimit të kësaj çështje dhe eventualisht në rast të paraqitjes së elementëve të ndonjë vepre penale, do të veprohet tutje me këtë rast”, ka thënë Ulaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat