Loshi: Në pjesën e dytë të mandatit Kurti duhet të punojë dhe t’i arnojë dështimet

Aktuale

Loshi: Në pjesën e dytë të mandatit Kurti duhet të punojë dhe t’i arnojë dështimet

Më: 15 shkurt 2023 Në ora: 16:21
Liri Loshi

Ish-kandidati i VV-së për deputet, Liri Loshi, ka treguar pritjet që i ka pasur nga kryeministri Albin Kurti.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se koordinimi me SHBA-të, koordinimi i vazhdueshëm i politikës shqiptare dhe zhvillimi ekonomik janë tri gjerat që ia garantojnë suksesin shtetit të Kosovës.

Ai ka bërë me dije se pjesën e dytë të mandati, Kurti duhet të punoj më shumë, duke pranuar dështimet që i ka pasur në dy vitet e para.

“Sinqerisht, krejt çfarë kam shpresuar rreth Albin Kurtit ka qenë që ai të lëvizë nga pozicionet e ngurta, siç ka levizur që nga ardhja në pushtet e këndej. Pse? Sepse, një vend i vogël dhe një shtet i ri si Kosova duhet të ecën me shumë kujdes drejt ardhmërisë së vet dhe të veprojë konform fuqisë që ka dhe t’i përshtatet gjeopolitikës në rajon. Janë tri gjera që garantojnë suksesin e shtetit tonë: 1. Koordinimi me Perëndimin e sidomos me SHBA-të; 2. Koordinimi i vazhdueshëm i politikës shqiptare jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me të gjitha grupet politike shqiptare në rajon; 3. Zhvillimi ekonomik i pandalshëm i Kosovës, ku qytetarët e saj gjejnë motivin për të jetuar me familjet e tyre. Në këto tri pika duhet të matet puna e çdo qeverie. Albin Kurti duhet të punojë në pjesën e dytë të mandatit në këto tri pika dhe t’i arnojë deshtimet e veta, natyrisht pasi ta ketë bindur veten se përveç sukseseve, ka pasur edhe dështime”, ka shkruar ai.

Sipas Loshit, aty ku është suksesi i Kosovës, aty është edhe suksesi i politikanëve që udhëheqin atë.

“Albin Kurti mendoj se ka bërë dhe po bën transformim në pikëpamjet dhe pragmatizmin e tij politik. Ky transformim është në dobi të Kosovës e mbase në dëm të Albin Kurtit, i njohur si lider parimesh. E, kur një politikan tërhiqet nga parimet, atëherë edhe impresioni i publikut për të ndërron dhe bëhet më pak popullor. Por, Kosova është dhe duhet të qëndrojë gjithnjë mbi individin dhe mbi çdo garniturë politike. Sepse, suksesi i Kosovës është sukses i popullit të saj dhe i njerëzve të rinj që vijnë pas nesh”, ka shkruar Loshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat