Selmanaj: Berishaj na ka gënjyer, nesër dorëzoj kallëzim penal ndaj tij

Aktuale

Selmanaj: Berishaj na ka gënjyer, nesër dorëzoj kallëzim penal ndaj tij

Më: 23 shkurt 2023 Në ora: 14:26
Driton Selmanaj

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, thotë se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka gënjyer gjatë raportimit të tij në Kuvend dhe kësisoj, Selmanaj, në cilësinë e kryesuesit të Komisionit Hetimor Parlamentar, do të dorëzojë kallëzim penal ndaj Berishajt për deklarim të rrejshëm nën betim.

Sot në Kuvend Selmanaj ka thënë se gjatë raportimit të tij para Komisionit Hetimor, Berishaj e ka pranuar se ka qenë i punësuar nga kompania GEN, e cila e ka bazën në Beograd. “Kam qenë këshilltar aty [te GEN-i], kam punu edhe si profesor”.

“Unë e pyeta [Berishajn], çka ka lidhje një doktor i shkencave politike me tregtimin e energjisë. Ai thotë: unë e kam konsultuar në cështjet strategjiko-politike të tregtimit të energjisë. Merreni me mend. Një person i vetëm, me shkencat politike, është këshilltari më i rëndësishëm i GEN-it të Beogradit dhe i merr paratë nga ta dhe nuk e dimë pse”, ka thënë Selmanaj.

Deputeti i LDK-së thotë se Berishaj ka thënë se kompania e tij nuk funksionon që nga viti 2020 dhe se nuk ka pasur më qarkullim të parave.

Selmanaj përmend se pas këtij viti, Berishaj ka tërhequr para në vitin 2022 në Kosovë për kompaninë, ndonëse gjatë dëshmisë së tij para Komisionit Hetimor ka thënë se kompania është joaktive prej 2020-s.

“Cka është gjithë ky zell me e mbrojë këtë person, i cili na ka gënjy nën betim”, u ka thënë Selmanaj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Unë, para se të raportonin, e kam pasur detyrë që t’ua lexojë deklaratën nën betim, që thoshte: Ju, në rast se nuk ofroni të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, atëherë ndiqeni sipas Kodit Penale dhe Kodit të Procedurës Penale, neni 383, 384”, ka thënë Selmanaj duke theksuar se një deklarim i rrejshëm nën betim parasheh burg deri në pesë vjet.

Selmanaj tha se do ta procedojë nesër kallëzimin penal për Berishajn, në cilësinë e kryetarit të Komisionit Parlamentar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat