Katër muaj për afat statutin e Asociacionit, pesë për statusin e Kishës Ortodokse Serbe

Aktuale

Katër muaj për afat statutin e Asociacionit, pesë për statusin e Kishës Ortodokse Serbe

Më: 7 mars 2023 Në ora: 20:34
Pamje nga Brukseli

Pas pranimit në parim të planit franko-gjerman, si bazë për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë dialogun për planin e zbatimit.

Nga data e publikimit zyrtar të këtij plani, në Kosovë filluan debatet në lidhje me çështjen e asociacionit dhe kishës ortodokse serbe. Që të dyja të përmendura brenda nenit 7 të planit evropian për normalizim.

Njëri nga rregullimet që mendohet të definohet në udhërrëfyesin e zbatimit është konkretizimi i  afateve kohore. Sa i përket afateve, burimet bëjnë të ditur se, Kosovës po i kërkohen 4 muaj për hartimin e statutit të asociacionit dhe 5 muaj për statusin e kishës ortodokse.

Me gjithë atë, këto dhe detaje të tjera pritet të diskutohen dhe vendosen mes liderëve në takimin e 18 marsit që do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Njohësi i procesit të dialogut, Gazmir Raci thotë se në Ohër nuk do të përpilohet dokumenti, por ai do tu prezantohet palëve në versionin merre ose lere.

“Harta për zbatimin e marrëveshjes franko-gjermane apo aneksi, tashmë është e dizajnuar është e vendosur e zeza mbi të bardhën dhe palët duhet të përgjigjen vetëm me po ose jo. Nuk ka rrugëdalje tjetër. Unë besoj që Kosova do të vazhdojë të jetë në koherencë të plotë me qëndrimin amerikan dhe evropian. Që nga fillimi i ka thënë po kësaj edhe do të mbetet në këtë. Dyshimet e mija janë te Serbia”, deklaroi Raci.

Për të përgatitur takimin e Ohrit ditëve në vijim në Kosovë e Serbi do të qëndrojë i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak. Këtë gjë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i BE-së Peter Stano.

“Të enjten dhe të premten, më 9 dhe 10 mars Lajçak do të vizitoj Prishtinën, ndërsa të hënën dhe të martën pra më 13 dhe 14 të këtij muaji do ta vizitoj Beogradin. Lajçak do ta takoj kryeministrin Kurti në Kosovë si udhëheqës i dialogut si dhe Vuçiqin në Serbi me të cilët do t’i diskutoj modalitetet e implementimit të marrëveshjes”, ka thënë Stano.

Lajcak në Kosovë do të takoj edhe partitë opozitare, të cilat tashmë po mbajnë një qasje jo-mbështetëse për planin evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat