Qeveria vazhdon subvencionet për rrymën e kursyer

Aktuale

Qeveria vazhdon subvencionet për rrymën e kursyer

Më: 7 mars 2023 Në ora: 21:35
Foto ilustrim

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për subvencionimin e faturave të konsumatorëve që kursejnë energji elektrike, “do të vazhdojë të jetë në fuqi deri në një njoftim të ardhshëm”.

Kështu iu përgjigjën zyrtarë të ekzekutivit pyetjes së Radios Evropa e Lirë se deri kur do të subvencionohen këto fatura, marrë parasysh paralajmërimet nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për mundësinë e ngritjes së tarifave të rrymës, nisur nga data 1 prill.

Në bazë të vlerësimeve preliminare, tarifat mund të rriten për 14 për qind, thanë nga ZRRE-ja, megjithëse vendimi është ende në fazën e konsultimeve.

Nga Qeveria nuk deshën të flasin për ngritjen e mundshme të tarifave, duke thënë se “duhet pritur vendimi përfundimtar”.

Nga muaji shtator i vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka subvencionuar faturat e konsumatorëve, të cilët kanë kursyer së paku 5 për qind të energjisë së konsumuar në muaj, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.

Këta konsumatorë kanë përfituar dyfishin e përqindjes së kursyer.

Vendimi në mars

Zyra e Rregullatorit për Energji i tha Radios Evropa e Lirë se lidhur me vlerësimet preliminare për rritjen e tarifave, tashmë ka pranuar komentet nga: Operatorit i Sistemit të Transmisionit të Tregut (KOSTT), Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Zyra e Presidentes dhe Zyra e Kryeministrit.

“ZRRE-ja është në proces të vlerësimit të komenteve të pranuara nga palët e interesuara dhe pas analizimit të tyre do të publikojë raportin përfundimtar me përgjigje ndaj palëve”, thuhet në deklaratën e ZRRE-së.

Sipas saj, vendimi përfundimtar për ngritjen ose jo të faturave do të merret në mars.

Çka thonë qytetarët?

Disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Prishtinë thonë se ngritja e tarifave të energjisë elektrike do të ndikojë negativisht në ekonomitë e tyre familjare.

Berat Simnica thotë se nëse ngritja arrin në 14 për qind, ajo do të prekë “xhepin e varfër të qytetarëve”.

“Edhe ashtu ka qenë e shtrenjtë [energjia elektrike]. Por, tash, edhe ky 14 përqindësh, sado që duket i vogël, ndikon negativisht në buxhetin e familjes. E rëndon buxhetin e familjeve në Kosovë. Ne për çdo ditë po ballafaqohemi me kriza ekonomike. Jam i bindur se shtrenjtimi i rrymës ndikon edhe në çmimet e artikujve të tjerë ushqimorë dhe në koston e jetesës”, thotë Simnica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat