Kur mund të vijë kryeministrja e Italisë në Kosovë? – përgjigjet ambasadori De Riu

Aktuale

Kur mund të vijë kryeministrja e Italisë në Kosovë? – përgjigjet ambasadori De Riu

Më: 7 mars 2023 Në ora: 22:02
Giorgia Meloni

Ambasadori i Italisë, Antonello De Riu, ka folur për mundësitë e një vizite në Kosovë që mund ta bëjë kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.

De Riu tha në Rubikon se vizita e saj do ishte tejet pozitive sikur të realizohej pas një marrëveshjeje që mund të pasonte mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve mes tyre.

”Veprimet tona duhet t’i ndajmë në promovimin ekonomik dhe promovimin kulturor. Në nivelin e promovimit ekonomik, angazhimi i qeverisë italiane nuk është vetëm në dialogun e lehtësuar, por edhe në nivel të ngushtë dypalësh. Për shembull, një moment i rëndësishëm do të ndodhë që më 11 majin e ardhshëm, ku në Romë do të mbahet një prezantim i Kosovës”.

”Për çfarë është? Ky prezantim shërben për të nxitur interesin e botës së biznesit italian dhe në funksion të pjesëmarrjes së kompanive italiane në një forum biznesi, që do të mbahet në tetor këtu në Prishtinë dhe do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Tajani. Ky është një moment shumë i rëndësishëm, sepse më në fund do të jetë forumi i parë i biznesit ndërmjet Kosovës dhe Italisë dhe mund të shënojë një moment vërtet vendimtar për të inkurajuar një prani më të madhe të kompanive italiane në Kosovë”.

”Krahas këtyre nismave shumë të rëndësishme, me mbështetjen e qeverisë italiane dhe asaj kosovare, ne kemi nisma të promovimit kulturor. Vetëm vitin e kaluar, ambasada ka realizuar 41 aktivitete kulturore, gjë e cila nuk ka qenë e mundur të bëhet në vitet e kaluara. Por gjëja më e rëndësishme që dua të theksoj është se veprimet e ambasadës sonë synojnë të mbështesin aktivitetet e institucioneve kulturore kosovare. Ne mbështesim festivale si Peja Jazz Festival, Sunny Hill Festival, Chopin Piano Fest, Doku Fest në Prizren”.

”Ne jemi brenda gjithë këtyre bashkëpunimeve, sepse duam të arrijmë një partneritet. Duam të ndihmojmë këto shoqata që tashmë bëjnë kaq shumë për jetën kulturore të vendit, për të pasuruar programin e tyre me një prekje të frymës italiane”.

”Çfarë mund të them është se, sigurisht, do të punoj që edhe kryeministrja Meloni të vijë në Kosovë. Ndoshta, do të ishte shumë bukur nëse ajo do të vinte pas një marrëveshjeje të mirë, të arritur ndërmjet Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve të tyre”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat