Drejtori në haxh, nxënësit e komuniteteve diskriminohen sipas të ardhurave

Aktuale

Drejtori në haxh, nxënësit e komuniteteve diskriminohen sipas të ardhurave

Më: 7 mars 2023 Në ora: 23:04
Foto ilustrim

Shkolla fillore “Motrat Qiriazi” në Prizren do të mund të ishte shembull i multietnicitetit në Kosovë.

Por racizmi dhe ndasitë klasore dolën në sipërfaqe, kur mësuesja Vjollca Toko shkoi në pushim mjekësor, raporton Kiks Kosova.

Nxënësit shqiptarë, goranë, romë, ashkali, egjiptianë dhe turq mbeten në mëshirën e tri mësueseve, të cilat akuzohen se ndarjen e tyre e bënë në bazë të të ardhurave të tyre familjare.

Norë Xhuzi, nga komuniteti egjiptian, thotë se në këtë shkollë ka probleme të shumta, fillimisht gjatë regjistrimit të vitit shkollor 2022-2023, ka mbizotëruar një lloj diskriminimi me ndarjen e nxënësve nga të tri mësueset, Vildane Kuksi, Ardita Kerveshi dhe Sevdije Guri, në mungesë të drejtorit Sedat Shkurti.

Krahas kësaj, Xhuzi ka thënë se ndarja e fëmijëve bëhet edhe sipas kushteve ekonomike, klasës së të pasurve dhe atyre të varfër.

Megjithatë edhe Valentina Zenuni, prind, pretendon për anashkalimin që i është bërë gjatë regjistrimit të djalit të saj, nga mësuesja Vildane Kuksi, pasi kjo e fundit nuk ia merr djalin në klasë.

Ajo tregon se për problemet e njëpasnjëshme ka bërë ankesë te drejtori i shkollës, por i njëjti ka kërkuar të vazhdojë te Drejtoria Komunale e Arsimit.

Në anën tjetër, drejtori Sedat Shkurti nuk i mohon ankesat e prindërve dhe faktin se të tri mësueset e kanë shfrytëzuar kohën për përzgjedhjen e nxënësve, gjatë kohës që ky ka qenë në haxh.

Sidoqoftë, ai thekson se këto probleme kanë ardhur edhe si pasojë asaj se mësuesja Vjollca Toko, ka kërkuar pushim mjekësor pa pagesë direkt në Drejtorinë Komunale të Arsimit, përkundër asaj se ky ka kërkuar të mos i jepet pa ardhur zëvendësimi.

Ndërkaq nga Drejtoria Komunale e Arsimit, e thonë të kundërtën e kësaj të fundit, me arsyetimin se vendimi për pushim për mësimdhënësen në fjalë është lëshuar duke respektuar rregullat ligjore.

Kiks Kosova ka provuar të bisedojë me mësueset të cilat po fajësohen nga prindërit, mirëpo ato nuk kanë pranuar të deklarohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat