Loshi zbërthen mesazhin e Kurtit me përkujtimin e Gjingjiqit: Albini, një hap para kundërshtarëve!

Aktuale

Loshi zbërthen mesazhin e Kurtit me përkujtimin e Gjingjiqit: Albini, një hap para kundërshtarëve!

Nga: A.Zh Më: 14 mars 2023 Në ora: 21:56
Liri Loshi dhe Albin Kurti

Ish-kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje Liri Loshi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka kujtuar politikanin serb Zoran Gjingjiq, për ta përçuar mesazhin para botës se problemin Kosovë-Serbi, nuk mund ta zgjidhë Aleksandar Vuçiqi.

Në një postim në Facebook, Loshi ka theksuar se qëllimi i Kurtit është që të tregojë se Serbia, përveç njerëzve të këqinj, ka pasur edhe njerëz të mirë, me të cilët shqiptarët do të merreshin vesh për problemin politik mes të dyja vendeve, përcjell Bota sot.

Sipas tij, kundërshtarët e Kurtit mund t’i shfrytëzojnë deklaratat e tij për t’u dukur më patriot se ai, por Kurti, siç ka thënë Loshi, është një hap para tyre në planin politik e diplomatik.

Reagimi i Loshit:

Duket se qëllimi i Albin Kurtit është që para komunitetit ndërkombëtar ta shpërfaqë fytyrën e presidentit aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit si një nacional-shovenist dhe trashëgimtar politik i Sllobodan Millosheviqit. Përmes kësaj shpërfaqje, Kurti dëshiron ta përçojë mesazhin e vet para botës se problemin politik mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mund ta zjgidh njeriu që është përgjegjës për krijimin e tij, pra Aleksandër Vuçiqi.

Duke rikujtuar anët pozitive të Zoran Gjingjiqit, Albin Kurti dëshiron të thotë se Serbia, përveç njerëzve të kqinj, ka pasur edhe njerëz të mirë. Ideja pra është se në Serbi edhe sot mund të ketë njerëz të arsyeshëm, me të cilët shqiptarët do të mund të merreshin vesh për kontestin politik që kanë mes vete. Ky deklarim i Albin Kurtit është i rëndësishëm për dy arsye. Në planin e jashtëm, ai po i tregon botës së Kosova ka vullnet të krijojë paqe të qëndrueshme me serbët, por si ta bëjë këtë kur sot përfaqësuest politikë të serbve nuk janë subjektë të marrëveshjeve paqësore. Për më tepër, ata janë frymëzues apo urdhërues direkt të eleminimit fizik të çdo figure politike që guxon ta kundërshtojë politikën hegjemoniste e që për fat të keq vazhdon të jetë politikë zyrtare dhe dominuese e Serbisë. Si dëshmi për këtë, Albin Kurti ka vrasjet e Oliver Ivanoviqit dhe të Zoran Gjingjiqit. Ndërkaq, në planin e brendshëm, mesazhi është se kryeministri i Kosvës shprehimisht po ua zgjat dorën serbëve vendorë duke i ftuar ata që të jenë të përfaqësuar nga njerëz të përgjegjshëm, përderisa ideja e tij konsistente është se në mesin e serbve ka akoma njerëz racionalë, apo serbë të mirë.

Ata që kundërshtojnë Albin Kurtin në këtë pikë, i dërgojnë botës mesazhet e kundërta, pra mesazhin se të gjithë serbët janë njësoj dhe se nuk mund ta gjesh një serb të mirë. Si ide në vete kjo është problematike që ta përbijë njeriu i kulturës perëndimore, pavarësisht a ka të bëjë me të vërtetën a jo. Pra, edhe si e vërtetë është tepër raciste për të qenë e pranueshme. Jo rastësisht serbët e prezantojnë Albin Kurtin si të rrezikshëm, sepse ai bën deklarata që Europa ka dëshirë t’i dëgjojë.

Kundërshtarët e Albin Kurtit mund t’i shfrytëzojnë deklaratat e tij për t’u dukur më patriot se ai, por Kurti është një hap para tyre në planin politik e diplomatik. Këto deklarata duken të jenë të qëllimshme në prag të marrëveshjes që mund të dështojë për shkak të Serbisë. Dhe, këto marrin mbulesën e plotë nga fakti që Kurti është i gatshëm ta nënshkruajë një marrëveshje të sponzorizuar nga Europa dhe SHBA. Pra, nuk mund të cilësohet si demagog.

Evropës gjithnjë duhet t’ia kthejmë fytyrën tonë të mirë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat