​Kërkohet drejtësi dhe kthim të çlirimtarëve nga Haga

Aktuale

​Kërkohet drejtësi dhe kthim të çlirimtarëve nga Haga

Më: 2 prill 2023 Në ora: 17:11
Foto nga vendi i ngjarjes

Mijëra qytetarë të Kosovës kanë marrë pjesë në marshin për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre.

Sheshet ishin të vogla për të gjithë ata që iu përgjigjën ftesës për drejtësi nga Gjykata Speciale. Me pankartat "Liria ka emër", "Nuk mund të gjykoni UÇK-në në emër të popullit, sepse UÇK është vetë populli, "Të gjithë ata që harrojnë të kaluarën e tyre janë të dënuar ta rijetojnë atë", qytetarët bën thirrje për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.

Ideatorja e platformës “Liria Ka Emër”, Eliza Hoxha u shpreh se UÇK dhe thirrja për drejtësi, sot i bashkon të gjithë qytetarët e Kosovës.

Hoxha kujtoi prillin e 24 viteve më parë kur qytetarët e Prishtinës ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre, për t’u kthyer pas disa muajsh në Kosovën e lirë, pas fitores së luftës së UÇK-së.

Hoxha: UÇK na bashkon

Si sot 24 vite më parë, Prishtina ishte shndërruar në një qytet fantazmë. Lumi i njerëzve të dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre nga ushtria dhe paramilitarët serbe kishte mësyrë stacionin e trenit. Ai stacion, që ishte i mbyllur për më shumë se dhjetë vite, u hap atë ditë për të na dëbuar jashtë Kosovës, në një rrugë pa kthim. Po ne u kthyem, e këto sheshe u mbushën prapë, për të festuar çlirimin dhe pavarësinë..... Gjatë këtyre dy javëve, anë e kënd Kosovës, bashkë me Ismajlin e kam rijetuar historinë tonë. E kam ndjerë në dhimbjen e nenës Ferdonije, në guximin e Shyhretes dhe Vasfijes, në stoicizmin e Fahrije Hotit, në qëndresën e bacës Bajram. E kam parë dhe ndjerë sa e gjallë dhe sa e hapur vazhdon të jetë plaga jonë, dhe thirrja për drejtësi. Përulësisht, ju falënderoj nga zemra që jeni me ne sot. UÇK na bashkon. Të gjithëve. Pa dallim. Thirrja për drejtësi na bashkon. E unë jam e bindur se ky shesh do të buçojë sërish, në ditën e kthimit të çlirimtarëve tanë”, tha ajo.

Ish-ushtari i UÇK-së, Kjani Guri, tha se liria e Kosovës ka emrin e sakrificës, martirëve, heronjve tanë dhe të UÇK-së.

Guri: Historia nuk do ta lejojmë të rishkruhet

“Jemi sot bashkë këtu për të kërkuar drejtësi. Për të mbrojtur me këmbëngulje historinë tonë të lavdishme. UÇK nuk ka qenë ndërmarrje e përbashkët kriminake, në UÇK kanë qenë bijat dhe bijtë tanë më të mirë, të cilët luftuan për lirinë e Atdheut. Presidenti Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Nasim Haradinaj, Hysni Gucat, Sali Mustafa e Pjetër Shala në atë sallë të gjykatores nuk janë emra të përveçëm...sepse në këtë proces ata janë historia jonë, e historia nuk do ta lejojmë të rishkruhet”, tha Guri.

Kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini tha se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e të tjerët janë liria jonë dhe do ta kalojnë edhe këtë sfidë.

Qerkini: Ne po duam drejtësi për lirinë

Sot po mbushën 24 vjet në çdo cep përkujtohen masakrat, vuajtjet e juaja.. ju jeni ata që na keni shpëtuar dhe ato familje të larguara prej Kosovës, afër 1 milion njerëz. Sot përkujtojmë 11 mijë viktima të luftës, gjatë tmerrit sepse ne kemi parë tmerr...nuk jemi ka kërkojmë tjetër gjë vetëm liri, nuk jemi ka kërkojmë tjetër gjë vetëm drejtësi nëse ka diku në Evropë, nëse ka drejtësi, është deshtë me na tregu ku janë edhe 1600 njerëz, është deshtë me na tregu bashkësia ndërkombëtare ku i kemi fëmijët...Ne po duam drejtësi për lirinë. Kemi luftuar për liri dhe nuk po e gëzojmë”, tha Qerkini.

Simboli i grave të Krushës dhe gjithë grave të forta shqiptare, Fahrije Hoti u shpreh e indinjuar që sot para gjykatës po dalin çlirimtarët e vendit, e jo ata që kryen krime në Kosovë.

Hoti: Kërkojmë drejtësi për të kaluarën të ardhmen dhe çlirimtarët

“Jam sot bashkë me ju për të kërkuar drejtësi për të kaluarën tonë të dhimbshme, jam sot këtu për të kërkuar drejtësi për luftëtarët e lirisë, jam sot me ju për të kërkuar drejtësi për të ardhmen. Familja ime dhe Krusha, martirë, ende kërkojnë drejtësi edhe 24 vite pas luftës. Bashkëshorti im sikurse qindra baballarë ende është i pagjetur. Në vend të kërkim faljes që e shkatërruan dhe rrënuan këtë vend, nesër dalin para gjykatës çlirimtarët e Kosovës”, theksoi Fahrije Hoti.

Qytetarëve iu drejtua edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili tha se nuk ka dyshim që Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi e bashkëluftëtarët e tyre do të rikthehen fitimtarë, ashtu siç erdhën dikur, si çlirimtarë. Protestuesit janë shpërndarë të qetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat