Tahiraj i reagon Melihate Tërmkollit: Deklaratë skandaloze, kjo është kryeturpi

Aktuale

Tahiraj i reagon Melihate Tërmkollit: Deklaratë skandaloze, kjo është kryeturpi

Nga: P.R Më: 5 prill 2023 Në ora: 22:01
Melihate Tërmkolli

Ish ministrja dhe deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka kritikuar udhëheqësit e shtetit të Kosovës për siç ka thënë ajo, deri më tani nuk e kanë thënë asnjë fjalë rreth fillimit të procesit të gjykimit në Hagë.

Madje, ajo ka përmendur edhe Ibrahim Rugovën, i cili sipas saj, po të ishte gjallë do t’i shkruante letër Gjykatës Speciale.

“Po të ishte Presidenti Rugova, e pakta që do të bënte dje, ai do të niste një letër Gjykatës Speciale në mbrojtje të luftës së UҪK-së dhe popullit të Kosovës për çlirim nga okupatori gjenocidal serb dhe do të uronte pafajësinë e të gjithë të akuzuarëve. Burrështetasi e patrioti i vërtetë, në rend të parë vë interesin e shtetit! Asnjë fjalë nga Presidentja, tani! Asnjë fjalë nga Kryeministri, tani! Ku po jetojnë përfaqësuesit më të lartë të Kosovës, në çfarë planeti janë?! Presidentja u muar me plotësimin e “stafit” të saj, ndërsa Kryeministri dhe ndihmësit e tij me ”Zajedenicën”! Turpi ka emër e mbiemër! Dhe jo vetëm turpi! Në themele të lirisë e pavarësisë së Kosovës janë LDK me Presidentin Rugova dhe UҪK! Me SHBA-të e NATO-n! Këtë s’mund ta ndryshojë as ta zhbëjë askush dhe asnjëherë”, ka shkruar Tërmkolli.

E ndaj deklaratës së Tërmkollit ka reaguar Saim Thairaj, ish bashkëluftëtar i Sali Çekajt.

“Edhe Kryeturpi Ka Emër! Kjo deklaratë skandaloze është kryeturpi, të paragjykosh se Presidenti Rugova do niste letër drejt Hagës për mbrojtjen e UÇK-së dhe popullit të saj, vërtet është kryeturpi. Presidenti Rugova ka mbrojtur vlerat e vërteta të UÇK-së çdo herë, e jo " Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale", ndërsa për popullin, jo vetëm se e mbrojti por ishte në ballë të tij çdo here. Në Hagë nuk po gjykohet UÇK-ja e as populli i Kosovës, përkundrazi po mbrohet. Kur do ta kuptoni këtë ore mjerana?”, shkruan Tahiraj.

“Presidenti Rugova kërkonte çdo herë drejtësi për vrasjet e bashkëveprimtarëve më të afërt të tij, pikërisht këtë drejtësi që po ndodhë në Hagë. Ju e keni të vështirë ta kuptoni këtë sepse mendjen dhe shpirtin tuaj ja shitët kriminelëve me kohë, prandaj përpiqi ti bindeni të tjerët me idetë tuaja që burojnë nga mendja e shitur”, përfundon reagimin e tij Saim Tahiraj, përcjellë “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat