Krasniqi: Abazoviqit i kërkova mbështetjen e Malit të Zi për rrugën euroatlantike të Kosovës

Aktuale

Krasniqi: Abazoviqit i kërkova mbështetjen e Malit të Zi për rrugën euroatlantike të Kosovës

Më: 14 prill 2023 Në ora: 19:59
Memli Krasniqi dhe Dritan Abazoviq

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka takuar sot kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, me të cilin kanë biseduar për për raportet e mira fqinjësore mes dy shteteve dhe mundësitë e reja të thellimit të këtij bashkëpunimi.

Kreu i PDK-së në një status në Facebook ka përmendur edhe marrëveshja e nënshkruar sot për shfrytëzimin e hapësirës ajrore, për çka ka thënë se është një lajm i mirë, derisa ka uruar që ajo të zbatohet sa më parë. 

“Si anëtare e NATO-s dhe shtet që ka bërë progres në procesin e anëtarësimit në BE, nga kryeministri Abazoviq kërkova mbështetjen e Malit të Zi për Kosovën në rrugën e përbashkët drejt integrimit Euro-Atlantik. Z. Abazoviq e informova edhe për zhvillimet me rëndësi në Kosovë, përfshirë shqetësimin tonë për emigrimin masiv të të rinjve tanë dhe Marrëveshjen e Ohrit, e cila, për PDK-në, mbetet e pamjaftueshme dhe që nuk arrin qëllimet tona shtetërore”, ka shkruar Krasniqi.

Me kryeministrin e Malit të Zi, Krasniqi tha se kanë biseduar edhe për vazhdimin e bashkëpunimit të mirë në fushën e turizmit dhe krijimit të kushteve optimale për qytetarët e të dy vendeve gjatë vizitave dhe pushimeve vjetore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat