​E mbijetuara e Masakrës së Poklekut kujton tmerrin e përjetuar

Aktuale

​E mbijetuara e Masakrës së Poklekut kujton tmerrin e përjetuar

Më: 17 prill 2023 Në ora: 15:36
Lumnije Muqolli

"O çohuni kush jeni gjallë", ishte thirrja e Lumnijes pas ndaljes së kërcitjeve të armëve. Gjithçka çfarë shihte ishte larë me gjak, gjurmë këto që ende nuk janë tharë në shtëpinë e familjes Muqolli në Poklek të Drenasit. Lumnije Muqolli, është në mesin e gjashtë të mbijetuarve nga kjo masakër, ku pas vrasjes së mbi 50 familjarëve të saj, trupat e tyre u masakruan dhe u djegën.

Në përvjetorin e këtij krimi, ajo rrëfen se si policët serbë rrethuan shtëpinë dhe nisën pushkatimin e fëmijëve, grave e pleqve.

Muqolli: Në atë masakër kam përjetuar momente shumë të rënda

"Në atë masakër unë kam përjetuar momente shumë të rënda. Në atë shtëpi kemi qenë, 53 dhe kemi qëndruar prej 09 të mëngjesit deri në orën 4 e gjysmë të mbrëmjes. Ishim duke dëgjuar emisionin ‘Kosova e lirë’ dhe në atë moment na kanë ndalur dy policë në sallon dhe e kanë marrë axhën Sinanin e kanë qit jashtë dhe e kanë pyetur 'ku i ki djemtë', dhe ai ju ka thënë që nuk i kam këtu. Kemi tentuar për të dalë jashtë dhe na kanë bërtit në gjuhën e tyre që nuk bën me dal. Kemi hyrë në sallon dhe kanë hyrë prapë të njëjtit policë dhe e kanë marrë axhën Sinanin dhe Imerin dhe i kanë qit jashtë dhe i kanë pushkatuar ata dy përpara se me ndodhe masakra. Edhe i kemi dëgjuar krismat dhe aty e kemi ditur çfarë ka ndodhur me ta dhe me neve. Në atë moment kemi filluar të dalim jashtë, në të njëjtin policë kanë hyrë brenda dhe nuk na kanë lënë me dal, prej shkallëve të shtëpisë e në korridor kanë filluar të gjuajnë", rrëfen ajo.

Pas vrasjes së xhaxhit të saj, ajo kujton se si u hodh bomba në dhomën ku po qëndronin me dhjetëra familjarë.

Muqolli: Na e kanë gjuajtur bombën në dhomë

"Ai tjetri e ka hap derën e sallonit ku kemi qenë ne dhe e ka gjuajtur bombën, si gaz. Aty ka filluar të më humbas vetëdija, erë shumë e keqe dhe e kanë mbyll derën e sallonit dhe me gjuajt me automat. Ne atë moment ai ka menduar që i ka mbytur krejt edhe unë kam qenë e shtrirë aty në mesin e 53 anëtarëve të familjes, ka pasur Elshani, Carapi të Muqollve. Kam tentuar të çohem dhe me dit që kanë ecur. Dhe kena bërtit se kush është gjallë. Kur e kam parë vetën kur jam çuar, kam qenë krejt e përgjaktë, vet jam e plagosur në dorën e majtë, vajzën tri vjet e gjysmë e kam pasur në duar. Nuk e kam ditur a është e gjallë, apo e vdekur. Dhe në atë moment jam çu edhe kom bërtit 'o çohuni kush jeni gjallë", shton ajo derisa shprehet se nuk ka pasur forcën të ndihmojë të plagosurit e tjerë.

Më tej, Lumnija rrëfen se kur doli jashtë kishte parë serbët të cilët po bëheshin gati për djegien e trupave të pajetë.

Muqolli: Unë isha bërë me gjak

"E kam marrë vajzën dhe Leutrimin dhe kemi dalë prej shtëpisë, afër fshatit me një shtëpi dhe kur më kanë parë mua me gjak dhe ju tregova rastin se si ka ndodhur, ma ka bërë një axh 'ah bre çikë po ajo shtëpi po digjet'", vijon ajo me rrëfimin.

Për këto përjetime, ajo kishte dhënë edhe intervista, por asnjëherë nuk u vendos drejtësia.

Muqolli: Askush nuk ka ardhur për të zbardhur rastin

"Që 24 vjet asnjë nuk ka ardhur për të zbardhur rastin ose unë qe jam si dëshmitare nuk jam që shtoj diçka ose them të pavërtetë. Këtë rast besoj që e dinë të gjithë bota, krejt Kosova. Ju kisha lut që të merren pak me këtë rast per me u zbardh rasti", përfundon Lumnija.

Në Poklek të Drenasit u vranë, masakruan e djegën mbi 50 fëmijë, pleq e gra. Në po këtë ditë, u vranë edhe mbi 20 viktima në Çikatovë të Vjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat