Cakolli: Problem legjitimiteti në praktikë që do ta kenë kryetarët e rinj në veri

Aktuale

Cakolli: Problem legjitimiteti në praktikë që do ta kenë kryetarët e rinj në veri

Më: 19 prill 2023 Në ora: 19:24
Eugen Cakolli

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke folur për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore në aspektin demokratik thotë që Kosova fatmirësisht nuk e aplikon legjislacionin e kriterit minimal të daljes në zgjedhje.

Cakolli në emisionin “Ditari”, ka thënë se mjafton që një votues të dalë në zgjedhjet e 23 prillit dhe të votojë njërin nga kandidatët, që më pas i njëjti të njihet ligjërisht si kandidat fitues.

“Fatmirësisht, Kosova nuk e aplikon legjislacionin e kriterit minimal të daljes në zgjedhje, pra nuk ekziston një kuotë apo pragu minimal i votuesve që duhet të marrin pjesë në zgjedhje në mënyrë që zgjedhjet të konsiderohen të ligjshme. Mjafton edhe vetëm një votues i vetëm të dalë në zgjedhje dhe të votojë për njërin prej kandidatëve në mënyrë që i njëjti ligjërisht të njihet si kandidati fitues”, tha ai.

Sipas Cakollit problemi qëndron te legjitimiteti në praktikë që do të kenë kryetarët e rinj.

“Problemi qëndron te legjitimiteti në praktikë që do të kenë kryetarët e rinj. Pra, është vështirë e besueshme që një kryetar p.sh., shqiptar i cili ka fituar më pak se dy apo tre për qind të elektoratit që është i paraparë për atë komunë do të mundej që efektivisht ta ushtrojë mandatin e tij, përkatësisht të formojë drejtoritë, t’i emërojë drejtorët dhe të ofrojë shërbime. Është absolutisht e papranueshme që në një komunë, ku komuniteti serb p.sh., në Zubin Potok ku ka përqendrim më të madh përbën 99.5 për qind të popullsisë një kryetar i zgjedhur me një grusht votash nga disa zona apo fshatra shqiptare në këto komuna do të mundej që edhe të ketë qasje fizike në objektin e komunës e lere më të flasim për ushtrim efektiv të mandatit ligjor”, deklaroi ai mes tjerash.

Ai ka thënë se procesi i zgjedhjeve nuk mund të shtyeht në pafundësi, duke shtuar se edhe shtyrja për herë të parë nuk ka pasur bazë ligjore, por që më shumë është bërë nga vlerësimi i situatës së sigurisë.

Zgjedhjet në katër komunat veriore me shumicë serbe pritet të mbahen më 23 prill, pas dorëheqjes së kryetarëve të cilët kanë kundërshtuar regjistrimin e automjeteve me targa RKS.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat