Takimi i 2 majit mes Kurtit dhe Vuçiqit do të jetë i vështirë, vlerësojnë analistët

Aktuale

Takimi i 2 majit mes Kurtit dhe Vuçiqit do të jetë i vështirë, vlerësojnë analistët

Më: 29 prill 2023 Në ora: 22:10
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Pas Ohrit, Brukseli do ta mbledhë në takim, më 2 maj, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve.

Për këtë takim, Bashkimi Evropian ka publikuar agjendën, sipas së cilës, palët pritet ta miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi dhe diskutimi mbi draft-statutin e parë të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë.

Këtë takim e shohin të vështirë njohësit e çështjeve politike, sipas të cilëve, tanimë Kosova e Serbia po hyjnë në fazën e fundit të dialogut disavjeçar.

Ajo që është e qartë muajt në vijim do të jenë muajt vendimtar për përfundimin e shtetndërtimit ndërkombëtar të Kosovës, i cili pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 po përfundon tash me vendosjen e autonomisë asimetrike me elemente të autonomisë territoriale për komunitetin serb të Kosovës”, ka thënë Artan Mustafa.

Ndërkohë, Artan Muhaxhiri thotë se zhvillimet e fundit në vend do të kenë ndikim në takimin e 2 majit.

Takimi i 2 majit do të jetë shumë i vështirë, shumë i rëndë sepse pozicionet janë diametrisht të kundërta dhe ndërkohë kanë ndodh shumë ngjarje të rëndësishme që me siguri do të kenë ndikimin e vet edhe në atmosferën e atij takimi, por ajo që është më me rëndësi, me siguri do të kemi hapa konstruktiv përpara sepse nuk mendoj që as bashkësia ndërkombëtare po as Kosova e Serbia nuk do të lejojnë të humbet aq lehtë progresi i arritur në Ohër”, ka thënë Muhaxhiri.

Më 18 shkurt, Kurti e Vuçiq u takuan në Ohër me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku nënshkruan aneksin e zbatimit të marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

RTK ka tentuar të marrë më shumë informata nga Qeveria e Kosovës për takimin e 2 majit, por që nuk është përgjigjur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat