Dëshmitari ballafaqohet me deklarime të mëparshme, ia lë fajin përkthyesit

Aktuale

Dëshmitari ballafaqohet me deklarime të mëparshme, ia lë fajin përkthyesit

Më: 1 maj 2023 Në ora: 14:42
Foto ilustrim

Prokurorja speciale, Eva Wyler, e ka ballafaquar dëshmitarin me kodin 10 me deklarimet gjatë seancës së sotme dhe deklaratat e mëparshme në rastin e Pjetër Shalës, me këtë rast dëshmitari fajësoi përkthyesit se nuk kishin ditur të përkthenin.

Kur prokurorja Wyler e pyeti dëshmitarin se cila kishte qenë arsyeja që në vitin 2019 kishte thënë se ndërtesa me numrin 1 kishte qenë vetëm si punëtori dhe jo si ndërtesë e cila është përdorur për të mbajtur njerëzit e dyshuar, dëshmitari tha se këtë e kishte thënë por që përkthyesi ka qenë i dobët, raporton “Betimi për Drejtësi”.

‘‘Ajo ka qenë, si punëtori ka qenë por është përdorur edhe për të dyshimtit, kam thënë edhe ma herët po përkthyesi ka qenë i dobët shumë, s’ka ditë me përkthy’’, tha ai.

Dëshmitari tha se kjo çka ka deklaruar sot është e vërteta.

Po ashtu, prokurorja sërish ka ballafaquar atë, se në të kaluarën dëshmitari ka thënë se ‘‘s’e di s’jam kanë aty mrena asnjëherë’’, ndërkohë që gjatë ditës së sotme ka deklaruar se ka qenë dy herë në ndërtesën numër 1, e që edhe për këtë dëshmitari tha se ‘‘përkthimi ka qenë gabim’’.

Sërish, kur u pyet se a ka pasur arsye se pse në vitin 2019 nuk ka përmendur se kishte njerëz që mbaheshin në pyetje, ai tha ‘‘i kam përmend, por përkthimi ka qenë i dobët se i kam përmend’’.

Tutje, ai tha se shtabi i logjistikës në Kukës është përdorur për mobilizim dhe për të diskutuar për gjëra të ushtrisë.

Ai po ashtu tha se mbrapa këtij shtabi, rreth 20 metra më tej ishte edhe një shtab që përdorej nga UÇK.

Paraprakisht, dëshmitari ka pohuar se në shtabin e logjistikës në Kukës kishte parë Pjetër Shalën, por që gjatë përgjigjeve të tij nga ana e DhSK përmbajtja ka qenë e redaktuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat