Dëshmitari kundër Shalës: Personat e dyshuar i verifikonin komandantët e UÇK-së

Aktuale

Dëshmitari kundër Shalës: Personat e dyshuar i verifikonin komandantët e UÇK-së

Më: 1 maj 2023 Në ora: 14:56
Foto nga vendi i ngjarjes

Dëshmitari i pestë në gjykimin kundër Pjetër Shalës ka thënë se verifikimin e personave të cilët dyshoheshin se kishin lidhje me Serbinë, e bënin komandantët e UÇK-së në Kukës.

Gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, ai ka përmendur emrat e Xhemshit Krasniqit, Sali Saramatit dhe Hafir Hoxhës. Dëshmitari që mban numrin 10 ka vijuar të pyetet përmes fotografive dhe skicës që ai kishte bërë gjatë intervistimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në vitin 2019. Prokurorja disa herë ka rikujtuar deklaratat që kishte dhënë atëherë, të cilat kishin mospërputhje me dëshminë e sotme.

Ai është pyetur nga gjykatësja, për shënimin “DZK” dhe “HH” në skicë, por dëshmitari ka thënë se nuk i kujtohet. Ndërkaq, pas rikujtimit të prokurores, dëshmitari tha se këto shkurtesa kanë të bëjnë me emrin e Hafir Hoxhës, Sali Saramatit e Xhemshit Krasniqit.

Prokurorja: Gjatë intervistës që i ke dhënë ZPS-së në vitin 2019 ju është bërë pyetja që pasqyrohet në rreshtin 5. Kë tjetër patë kur keni arritur për herën e parë, keni dhënë përgjigjen: Hafir Hoxha. A mund të vendosni ‘HH’, ku ka qëndruar ky person dhe më pas keni bërë shënimin ‘HH’ në skicën që keni pasur përpara, a të kujtohet kjo?

Dëshmitari: Po.

Prokurorja: A mund të jetë që ‘HH’ në ndërtesën katër është vendosur si shkurtim për Hafir Hoxhën.

Dëshmitari: Po”, është përgjigjur dëshmitari përmes video-lidhjes.

Gjykatësja Mappie Veldt-Foglia edhe një herë ka kërkuar nga dëshmitari që i njëjti ta thotë të vërtetën.

Veldt-Foglia: Do kërkoja që të thoni të vërtetën

Ju kujtoj zotëri dëshmitar që jeni këtu për të thënë të vërtetën. Dhe e thash në fillim fare që në qoftë se nuk ju kujtohet, nuk është e thënë që të sajosh. Por, kjo nuk do të thotë që ti të mos përpiqesh fort për tu kujtuar. Dhe në këtë rast, ose në përgjithësi do të ju thoja që do ju kërkoja që të thoni të vërtetën”, ka thënë ajo.

Në ndërtesën ku merreshin në pyetje persona të ndryshëm, dëshmitari tha se kishte shkuar vetëm për ta shikuar. Teksa u është përgjigjur pyetjeve të prokurores, përmes video-lidhjes tha se herën e parë ishte bosh, ndërkaq herën e dytë kishte parë pesë persona të moshave të ndryshme.

Prokurorja tha se në deklaratën e mëparshme, dëshmitari kishte thënë se kishte shkuar për një qëllim konkret. Dëshmitari i pestë në rastin e Pjetër Shalës ka thënë se verifikimin për personat e dyshuar në “ndërtesën 1” e bënin komandantët.

Prokurorja: Thatë që mbaheshin në dhomë për të verifikuar, në qoftë se kishin bërë ato për të cilat ishin të dyshuar. Çfarë do të thotë për të verifikuar, si bëhej verifikimi?

Dëshmitari: E dinë ata të mëdhenjtë se si bëhet verifikimi, por unë qaq kam informata, qaq di. Më tepër nuk di asgjë.

Prokurorja: Kur e ke fjalën për këta më të mëdhenjtë, e ki fjalën për komandantët. Por kush kujdesej për verifikimin e këtij informacioni. A e di ti se kush merrej me verifikimin e këtij informacioni?

Dëshmitari: Ata komandanta që kanë qenë në Kukës.

Prokurorja: A të kujtohet ndonjë emër?

Dëshmitari: Po.

Prokurorja: Ju lutem a mund të na thoni.

Dëshmitari: Xhemshit Krasniqi, Sali Saramati, Hafir Hoxha”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari i cili gjatë ditës së sotme tha se ka qenë ushtar i thjeshtë, shtoi se këtë e kishte kuptuar pasi që dy ditë kishte qenë kujdestar. Pas pyetjes se a i kishte marrë këto informacione nga të intervistuarit, është mbajtur seancë private.

Pas kthimit në seancë publike, ai ka treguar se e kishte parë Pjetër Shalën në shtabin e logjistikës në Kukës.

Prokurorja: Është e saktë të themi se të dy herat që e ke parë Pjetër Shalën në shtabin e logjistikës, të dy herat kanë qenë në muajin e pestë, apo në muajin e gjashtë 1999?

Dëshmitari: Saktë është, ashtu është.”, ka treguar dëshmitari i pestë në gjykimin kundër Pjetër Shalës.

Prokurorja ia ka kujtuar dëshmitarit deklaratën e vitit 2019, i cili kishte thënë se e kishte parë disa herë Shalën.

Prokurorja: Në deklaratën me ZPS-së në vitin 2019, ju bëhet kjo pyetje ‘a e mbani mend kur e keni parë atë për herë të parë dhe sa herë e keni parë atë?’. Dhe ku thuhet atë, bëhet fjalë për Pjetër Shalën. Përgjigja që keni dhënë është kjo ‘Pjetër Shalën e kam parë pesë-gjashtë herë gjatë kohës që kam qenë atje. Ai ikte dhe dilte në Kukës’. A e mban mend ta kesh thënë këtë?

Dëshmitari: Ndoshta e kam thënë, tash kam harruar”, tha dëshmitari.

Prokurorja ka kujtuar edhe deklaratën se dëshmitari i pestë kishte thënë se nuk ka qenë asnjëherë në ndërtesën ku merreshin në pyetje njerëzit. Dëshmitari tha se përkthimi nuk ka qenë në rregull.

Në pyetjet e prokurores se kur e kishte parë Shalën, ka pasur përmbajtje të redaktuar.

Në gjykimin kundër Pjetër Shalës deri tani janë dëgjuar katër dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun. Ndërkaq, gjatë ditës së sotme është dëgjuar edhe dëshmitari i pestë në gjykimin kundër Pjetër Shalës.

Ai po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat