Tërnava: Nëse Vuçiqi urdhëron, mund të ndodhë çrregullim të situatës në veri

Aktuale

Tërnava: Nëse Vuçiqi urdhëron, mund të ndodhë çrregullim të situatës në veri

Më: 8 maj 2023 Në ora: 16:13
Hajrullah Tërnava, ekspert i sigurisë

Zgjedhjet dhe certifikimi i rezultateve në katër komuna në veri të Kosovës nuk janë duke i “pëlqyer” Serbisë dhe presidentit të saj.

Sipas Institutit Octopus, presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka urdhëruar nënkryetarin e Listës Serbe, njëherit i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, Milan Radoiçiqin që të fillojë rebelimin e serbëve në komunat veriore të Kosovës.

Drejtori i këtij instituti për studime të luftës hibride, Agim Musliu, shkroi në rrjete sociale se Vuçiqi dëshiron të tërheqë vëmendjen nga një shkrim i “New York Times” ku shfaqeshin lidhjet e tij me kriminelë serbo-rusë.

“Sipas të dhënave që Instituti Octopus i ka marrë nga opozita serbe në Beograd, Aleksandër Vuçiqi ka urdhëruar Milan Radoiçiqin që të fillojë rebelimin e serbëve në komunat veriore të Kosovës. Me këtë, Vuçiq dëshiron ta tërheqë vëmendjen e brendshme dhe eventualisht edhe presionin mediatik e diplomatik nga disa vende perëndimore, e cila u acarua pas publikimit të një shkrimi dje nga NYT, ku dëshmoheshin lidhjet e tij me kriminelë serbo-rusë”, shkroi Musliu.

Në të vërtetë, edhe vetë Vuçiq, përmes një konferencë për media paralajmëroi se një krizë e madhe po pret veriun e Kosovës.

“Serbia është i vetmi shtet evropian që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë”

Njohësit e çështjeve të sigurisë thonë se “urdhërat” e Vuçiqit mund të zbatohen.

Hajrullah Tërnava, ekspert i sigurisë, thotë për “Bota sot” se thotë se Serbia ka pasur politika nacionaliste dhe udhëheqësit e tanishëm ishin bashkëpunëtor të Millosheviqit.

Sipas tij, ajo ende ka pretendime për marrjen e veriut.

“Serbia që me politikat e saja nacionaliste që e shpartalloj Jugosllavinë që nga viti 1990-1999 kur në krye të atij shteti ishte Millosheviq e që mjerisht edhe këta udhëheqesit e tanishëm të atij shteti, që atëherë ishin bashkëpunëtor të Millosheviqit, edhe tani po e udhëheqin Serbinë me politikat nacionaliste sikur të atyre kohërave, sepse këta udhëheqës të Serbisë ishin në poste të larta në ato kohëra, prandaj i kanë të njëjtat mësime që i ka ushtruar Milosheviqi. Tani kur situata e krijuar me luftën e Rusisë ndaj Ukrainës, Serbia është i vetmi shtet evropian që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, dhe po konsiderohet si përkrahëse e Rusisë. Kosova që nga viti 1999 është shtet i pavarur dhe i njohur nga 118 shtete të botes, dhe pavarësinë e saj e ka arritur nga ai vit me bombardimet e shteteve demokratike në krye me Amerikën që i dolën në ndihmë UÇK-së dhe popullit shqiptar i cili ishte në rrezik të zhdukjes. Kapitullimi i nënshkruar nga Serbia ndodhi me marrëveshjen e Kumanovës, dhe në vitin 2008 u shpall pavarësia e Kosovës, për të cilën shpallje Serbia u ankua në Gjyqin Ndërkombëtar të Drejtëisë (GjND) dhe i cili gjyq e konfirmoi të drejtën e shpalljes së pavarësisë nga ana e Kosovës”.

“Tani që nga viti 1999 Kosova është si shtet i pavarur e që sovranitetin e saj e garanton KFOR si pjesë përbërëse e NATO-së që është, dhe Kosova nga çlirimi i saj e këndej e ka ushtrinë dhe policinë e saj dhe tjerat institucione që i takojnë shtetit. Pranë kapitullimit të Serbise ndaj Kosovës tani ai shtet me politikat nacionaliste që e udhëheqë popullin e saj, e manipulon atë popull duke i mashtruar se “Kosova është zemra e Serbisë” e që është pjesë përbërëse e kushtetutës së saj, pavarësisht asaj sikur e shpjeguam më lartë të marrëveshjes së nënshkruar të kapitullimit nga ana e Serbisë, dhe vendimit të GJND-së, më në fund është e qartë se asnjë nga udhëheqësit e Serbisë nuk munde të hyjë në shtetin e Kosovës pa paralajmërim dhe pa dokumentacionin e duhur që duhet ta kenë çdokush që hyn në Kosovë. Është për t’u habitur se si Serbia e manipulon popullin e saj sikur që “Kosova është pjesë e Serbisë” dhe tani në bisedime që i ndërmjetësojnë ndërkombëtarët, kërkojnë që veriu i Kosovës t’i bashkangjitet Serbisë për një pajtim të mundshëm, gjë që është për t’u habitur, se historianët e kanë të qartë se në vitin 1912 Kosova me dhune dhe lufte invazuese është okupuar nga ana e Serbisë, dhe më parë kurrë s’ka qenë e Serbisë”, shprehet Tërnava.

Sipas tij, Serbia kur dëshiron ta çrregullojë sigurinë në pjesët e veriut e përdor Radojçiqin.

“Tani Serbia në situatën në të cilën gjendet dhe me politikat e saja luftënxitëse që është kah i udhëheqë, pasluftes arriti ta krijojë Listën Serbe në Parlamentin e Kosovës, dhe ata serbë të përzgjedhur nga Vuçiqi e që kinse “ i përfaqësojnë serbët e Kosovës” në institucionet e Kosovës, tani janë të komanduar nga vetë Vuçiqi dhe klika e tij, e që ata e kanë për qëllim që të shkaktojnë vetëm çrregullime kur Serbisë i nevojiten ato çrregullime, më në fund si nënkryetar i kësaj Listës Serbe është rizgjedhur Radojçiq i cili është kriminel ndërkombëtar dhe Amerika e ka shpallur si persona nongrata-i padëshiruar, dhe ai si paramilitar i Serbisë që është në shërbim të Vuçiqit që kur i nevojitet ta çrregullojë sigurinë në pjesët e veriut, ai i ndërmerr veprimet e tilla për ta çrregulluar rendin kushtetues të Kosovës, edhe që po ky Radojçiqi dikur i ka vizituar disa udhëheqës të Kosovës, dhe kanë zhvilluar “shoqëri” me ta dhe kanë qenë nëpër shtëpitë e tyre, të tille Vuçiqi për nevoja të tij të situatave të sigurisë që do me i arritë i ka përdor në shumë raste sikur Belivukun që tani gjendet i burgosur, për krime të parapara që i ka krye duke i vrarë njerëzit dhe duke i futur në makinat shtypës të cilët i kanë shndëruar në mish si pleskavica, njerëzit e narkomafise dhe të tjerë për përfitime të tyre, e që tani ai është i burgosur që nga viti 2021 dhe është nën mbajtjen e burgut dhe është nën vështrimin e Amerikës, por të gjithë ata ishin nën komandën e Vuçiqit, prandaj për të gjitha veprimet dhe sjelljet e Vuçiqit bota është në dijeni”, thekson eksperti.

Nëse Vuçiqi i urdhëron për çrregullim të situatës, është e kuptueshme që mund të ndodh shprehet Tërnava, gjersa shton se serbët atje janë lodhur nga sjelljet e pa kuptimta.

“Instituti Octopus thotë se ka informacione se presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka urdhëruar nënkryetarin e Listës Serbe dhe i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, Milan Radoiçiqin që të fillojë rebelimin e serbëve në komunat veriore të Kosovës. Nëse dihet se Radojçiq si njeri i besueshëm i Vuçiqit dhe të tillë të tjerë tani që një kohë të gjatë janë nën komandën e Vuçiqit, dhe nëse Vuçiq i urdhëron ata që të ndërmarrin veprime të tilla për rebelimin e serbëve në komunat veriore të Kosovës, është e kuptueshme se mund të ndodhe ndonjë çrregullim i situatës së tanishme e cila për momentin është e qetë, e që ka të bëjë me zgjedhjet e fundit ku partitë serbe u tërhoqën nga zgjedhjet dhe nuk morën pjesë në ato zgjedhje, te cilat u organizuan nga institucionet e Kosovës, edhe qe pati shtyrje te gjata të zgjedhjeve, partitë politike serbe prapë nuk morën pjesë, sepse Vuçiq i dirigjonte serbët ne ato pjese te veriut, edhe qe serbët e atyre pjesëve sikur po deklarohen janë të lodhur nga sjelljet e pakuptimta destabilizuese që po iu imponon nga ana e Vuçiqit, serbëve në ato pjesë”, pohon Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat