Çitaku i reagon Kurtit pasi refuzoi takimin me Ramën: Kjo është marrëzi

Aktuale

Çitaku i reagon Kurtit pasi refuzoi takimin me Ramën: Kjo është marrëzi

Më: 5 korrik 2023 Në ora: 13:21
Vlora Çitaku

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, i cili të mërkurën tha se nuk do të takohet me homologun nga Shqipëria, Edi Rama, në një takim që është jashtë mbledhjes se Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

Kurti në konferencën e mbajtur pas mbledhjes së Qeverisë, u shpreh se mendon që mbledhja e dy qeverive ishte anuluar në mënyrë të paarsyeshme nga Rama dhe se takimin me të mund të bëjë vetëm në kuadër të një mbledhje të tillë.

E në reagimin e saj Çitaku ka thënë se kjo është marrëzi dhe turp.

“Si është e mundur që Kryeministri Kurti refuzon takimin me Kryeministrin e Shqipërisë?!! Si është e mundur?! Kjo është marrëzi. Turp”, ka shkruar ajo.

Nënkryetarja e PDK-së tutje ka thënë se kryeministri Kurti e takon presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pa kushte.

“Vuçiçin e takon pa kushte, e Ramës i vendosë kushte. Kryeministër, Kosova nuk është lodër. Qeverisja nuk është lojë fëmijësh. Lëri inatet, mllefet e hatërmbetjet personale”, ka përfunduar Çitaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat