Dugolli sqaron pikat e marrëveshjes: Për zgjedhjet në veri të ketë garanci nga BE dhe ShBA

Aktuale

Dugolli sqaron pikat e marrëveshjes: Për zgjedhjet në veri të ketë garanci nga BE dhe ShBA

Më: 12 korrik 2023 Në ora: 18:31
Enver Dugolli

Qeveria e Kosovës është pajtuar që të zvogëlojë praninë policore në veri dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.

E sa i përket pikës së parë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, tha se reduktimi i prezencës policore tek objektet komunale, është një vendim i cili është marrë konform rrethanave të sigurisë.

“Reduktimi i prezencës së policisë tek objektet komunale, është një vendim i cili është marrë konform rrethanave të sigurisë. Ne kemi pasur koordinim me aleatët. Kemi pasur koordinim sa i përket operacioneve dhe sa i përket masave. Ka pasur komunikim, por vendimet janë të Qeverisë së Kosovës. Saqë ndonjëherë ato vendime në syrin e diplomatëve duken jo të koordinuara, ato po prodhojnë efekte”, deklaroi Dugolli.

Ndërkaq, lidhur me pikën e dytë e cila ka të bëjë me mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri, Dugolli vlerësoi që në këtë rast duhet të kërkohet garanci shtesë nga Bashkimi Evropian, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndërmjetësit.

“Natyrisht që këtu kërkohet edhe një garanci shtesë e Bashkimit Evropian, , e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e ndërmjetësve që po e mbështesin këtë proces. Së pari të ketë një ambient të qetë, të ketë një fushatë fer, si dhe të ketë një garanci që do të ketë pjesëmarrje të qytetarëve të asaj pjese pa kërcënime e pa shantazhe. BE-ja duhet të bëjë presion tek Serbia që të mos ndikojë me kërcënime e shantazhe tek qytetarët serb. Në të kundërtën është e pakuptimtë që të shpallen zgjedhje të parakohshme. Përsëritja e një situate të njëjtë nuk do t’i konvenojë së pari qytetarëve të asaj pjese, e pastaj edhe buxhetit të shtetit”, theksoi tutje Dugolli.

Më tej, Dugolli tregoi se kur mund të caktohet data për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

“Në momentin që do të ketë dakordim, pranim të këtyre hapave për të ecë përpara, atëherë mund të ketë qartësi se kur do të mbahen zgjedhjet”, potencoi Dugolli.

Kujtojmë se ky pajtim u arrit gjatë një takimi joformal që u mbajt në Bratisllavë midis zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat