Kurti sqaron largimin e policëve te komunat në veri të Kosovës, ja si do të vazhdojë

Aktuale

Kurti sqaron largimin e policëve te komunat në veri të Kosovës, ja si do të vazhdojë

Më: 4 gusht 2023 Në ora: 11:57
Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nga sot filloi zvogëlimi edhe për 25% të tjera i pranisë së policisë së Kosovës në tri ndërtesat e komunave në veri të vendit.

Ai tha se kjo vjen pas vlerësimit të gjendjes së sigurisë nga mbledhja që pardje mbajtën drejtues të Policisë së Kosovës me EULEX-in dhe KFOR-in.

“Pra, siguria është e mirë, situata është e qetë dhe mund ta zvogëlojmë ca praninë e policisë sonë. Sundimi i ligjit dhe rendi publik po mirëmbahen gjithnjë e më shumë e më mirë. Janë bërë rreth një muaj e gjysmë që nuk kemi incidente të theksuara e protesta të dhunshme. Falënderojmë policinë dhe qytetarët pa dallim për bashkëpunimin dhe korrektësinë”.

Kurti sqaroi se zvogëlimi i policisë do të ndodhë gradualisht dhe se kjo vlen vetëm për praninë policorë në dhe përreth objekteve komunale.

“Ashtu qysh kemi thënë para më shumë se dy muajve: 1) nuk do të ketë zvogëlim të përnjëhershëm dhe as të menjëhershëm të pranisë së policisë, por vetëm gradual e proporcional; 2) zvogëlimi vlen për praninë policore në ndërtesat komunale dhe rrethinat e tyre, e jo për veriun e vendit, ku ka ende sfida e punë për sundim të plotë të rendit e ligjit”.

Kryeministri tha se përmes këtyre vendimeve janë duke e vënë në zbatim marrëveshjen mes Kosovës dhe BE-së që u arrit në Bratislavë për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

“Ne po zbatojmë me përgjegjësi dhe seriozitet, sinqeritet dhe kujdes, marrëveshjen e Bratisllavës nga 10 korriku 2023 në funksion të kërkesave të BE-së nga 3 qershori 2023 për de-eskalim. Konstatimi i përbashkët me faktorët ndërkombëtarë për përmirësimin e dukshëm të nivelit të paqes dhe sigurisë në veri dëshmon për de-eskalim të qartë. Njëkohësisht, ne jemi vigjilent për ri-eskalimin potencial që mund të vijë nga deklaratat që nxisin urrejtje dhe agresiviteti politik e shtetëror i fqinjit tonë verior”.

Por, në fund të postimit në Facebook, Kurti ka akuzuar se po bëhet luftë hibride ndaj Kosovës dhe Qeverisë së tij, duke shtuar se kjo “do të dështojë”.

“Ftojmë qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave të ndryshme, prej atyre që janë pasojë e keqkuptimit, moskuptimit a keqinterpretimit të situatës dhe zhvillimeve e deri tek ato që janë dëshira anti-qeveritare të transmetuara publikisht si lajme faktike. Lufta hibride kundër Republikës së pavarur të Kosovës dhe qeverisë së saj demokratike e progresiste do të dështojë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat