Do ta thyejnë akullin mes tyre? Edi Rama dhe Albin Kurti bëhen bashkë në Slloveni

Aktuale

Do ta thyejnë akullin mes tyre? Edi Rama dhe Albin Kurti bëhen bashkë në Slloveni

Më: 20 gusht 2023 Në ora: 11:14
Edi Rama dhe Albin Kurti

Edi Rama dhe Albin Kurti kanë konfirmuar praninë e tyre si folës në panelet e forumit dy ditor të Sllovenisë që zhvillohet në qytezën turistike pranë liqenit të Bledit në fund të këtij muaji.

Marrëdhënia e tyre muajt e fundit kanë qenë e akullt dhe plot tension.

Ky forum do të jetë një mundësi për një takim të munguar kohët e fundit mes kryeministrit Rama dhe homologut të tij Albin Kurti.

Më 6 korrik kur Rama zbriti në Prishtinë si pjesë e turit të tij ballkanik kushtuar përgatitjeve për takimin e Tetorit në Tiranë në kuadër të Procesit të Berlinit ai u prit vetëm nga Presidentja Osmani dhe nga kryeparlamentari Konjufca.

Kurti kushtëzoi asokohe takimin me kryeministrin Edi Rama me mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.

Kurti e konsideroi si të paarsyeshëm vendimin e Kryeministrit shqiptar për të anuluar mbledhjen e dy qeverive që ishte parashikuar të mbahej më 14 qershor në Gjakovë.

Ai u shpreh se do të mirëpriste Ramën që të zhvillonin mbledhjen nderqeveritare ku të firmosnin 13 marrëveshjet e përbashkëta për të cilat ishin dakordësuar më parë.

Më 17 Korrik Kurti e refuzoi për herë të dytë takimin me Ramën teksa kryeministri mblodhi në një takim informal krerët e Ballkanit Perëndimor në Tiranë. Kurti preferoi atë ditë të shfaqej në një simpozium të një shoqate jo qeveritare në ishullin e Kretës.

Qejfmbetjet e Kryeministrit kosovar ndërlidhen me faktin se kryeministri Rama adresoi kritika publike ndaj qeverisë në Prishtinë për mosmenaxhimin si duhet të situatës me serbët në veri pas zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat serbe që sollën ndërprerjen e dialogut me Beogradin dhe më pas sanksione nga BE e SHBA.

Po ashtu Kurti u gjend i befasuar nga drafti për themelimin e bashkësisë së komunave serbe që Rama e dërgoi në Berlin e Paris pa e konsultuar atë paraprakisht. Kurti ka ironizuar edhe iniciativën rajonale të Ballkanit të Hapur në të cilën Rama ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me Vuçiç e Kovaçevski për projekte të përbashkëta kryesisht ekonomike.

Kurti ka realizuar kohët e fundit disa takime në selinë e qeverisë kosovare në një mjedis të hapur që e ka emërtuar publikisht si ‘Ballkoni i Hapur’ në një karshillëk të hapur me iniciativën rajonale që ka për iniciator edhe kryeministrin Rama.

Në forumin strategjik të Bled-it do të marrin pjesë krahas kryeministrave Rama e Kurti edhe Presidenti serb Vuçiç, kryeministri maqedonas Kovaçevski si dhe Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel. Aty do të flitet krahas bashkëpunimit rajonal edhe për çështjet e sigurisë dhe anëtarësimin në BE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat