Jashari: Ndërmjetësit e BE-së nuk kanë pritshmëri nga takimi Kurti-Vuçiq

Aktuale

Jashari: Ndërmjetësit e BE-së nuk kanë pritshmëri nga takimi Kurti-Vuçiq

Më: 14 shtator 2023 Në ora: 00:42
Shemsi Jashari

Analisti politik, Shemsi Jashari, nuk u shpreh optimist sa i përket takimit të nesërm ndërmjet kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Në kuadër të diskutimit se çka mund të pritet nga takimi i nesërm i nivelit të lartë, Jashari vlerësoi që më shumë fokusi mund të jetë tek gjetja e fajtorit, se sa të ketë ndonjë normalizim mes palëve.

Madje sipas tij, as ndërmjetësit e BE-së nuk kanë pritshmëri nga ky takim.

“Prej takimit të nesërm pres një takim formal, që më shumë besoj që do të kërkohen fajtorë për njërën palë tek pala tjetër, se sa që do të ketë ndonjë përparim në dialog edhe pse mesazhet do të jenë të qarta nga Bashkësia Ndërkombëtare. Unë besoj që edhe pritjet e ndërmjetësve të BE-së, nuk janë të mëdha, ky takim më shumë është për të filluar një normalizim në tavolinë pas të gjitha atyre tensioneve që ndodhën në veri, se sa që presin që nesër eventualisht të ketë ndonjë marrëveshje të re, ose dakordim për fillimin e zbatimit të atyre marrëveshjeve”, deklaroi Jashari.

I pyetur se sa mund të zgjasë takimi nesër, Jashari tha se kjo varet shumë se si do të rrjedhin takimet individuale, që pastaj të mundësohet takimi tre palësh.

Takimi i së enjtes mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe çështjet aktuale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat