Mustafa: Propozimi i Edi Ramës për konferencë paqësore i papranueshëm, humb vetëm Kosova

Aktuale

Mustafa: Propozimi i Edi Ramës për konferencë paqësore i papranueshëm, humb vetëm Kosova

Më: 25 shtator 2023 Në ora: 22:56
Isa Mustafa

Ish lideri i LDK-së dhe ish kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se propozimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për një konferencë paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë është e papranueshëm.

Mustafa tha se një konferencë e tillë do të kishte kuptim para 2-3 viteve ose edhe para 5 viteve, por jo tash në këtë kohë kur sipas Mustafës Kosova është sanksionuar politikisht e ekonomikisht.

“Zoti Rama ka fol edhe më parë për nevojën e një konference të tillë që palët të futen në një dhomë derisa të mos e gjejnë një zgjidhje. Futja në një dhomë ose sallë për neve do të ishte më e mirë para 2 vjetëve, para 3 vjetëve, para 5 vjetëve, kur përkrahja e Kosovës në pikëpamje të përkrahjes ndëkrombëtare ka qenë krejt tjetër në krahasim me atë që është sot. Sepse në qoftë se ne futemi në një konferencë ndërkombëtare të paqes në situatën kur ne jemi sanksionuar nga komuniteti ndërkombëtar e që do të thotë nuk e kemi më përkrahjen e komunitetit ndërkombëtar që e kemi pas por në vend të përkrahjes ne kemi masa disiplinuese të komunitetit ndërkombëtar dhe masa ekonomike të komunitetit ndërkombëtar sepse ne po humbim gati gjysmë miliardi euro, mjete të cilat i kemi marrë më parë nga BE, mjete të zotuara të cilat tani nuk mund t’i shfrytëzojmë”, tha Mustafa.

Ai tha se futja në një konferencë të paqes në një situatë të tillë kur Kosova sulmohet edhe nga komuniteti ndërkombëtar, nuk është zgjidhje e mençme.

“Ne kemi po ashtu problem me kontakte diplomatike të themi me shtetet, me organizatat ndërkombëtare sepse Kosova është e izoluar politikisht jashtë dhe në qoftë se ne futemi kështu kur neve na kanë cilësuar vend i cili krijon probleme, krijon telashe komunitetit ndërkombëtar, atëherë unë mendoj se edhe vullneti i komunitetit ndërkombëtar që me na gjet një zgjidhje që unë mendoj që ne e meritojmë, atëherë dyshoj që do të jetë i tillë dhe futja të themi në këtë situatë, në një konferencë të paqes në situatë kur ne sulmohemi dhe atakohemi politikisht më shumë nga komuniteti ndërkombëtar sesa Serbia që e ka krijuar gjithë këtë situatë, nuk e shoh se është shumë e mençme dhe se është shumë e dobishme për Kosovën por shoh më shumë arsye që të vazhdoj dialogu duke i përcaktuar qartë objektivat që duhet të arrihen nga dialogu”, deklaroi Mustafa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat