Përfundon aksioni i Policisë në katër nga pesë lokacionet e bastisura në veri

Aktuale

Përfundon aksioni i Policisë në katër nga pesë lokacionet e bastisura në veri

Më: 29 shtator 2023 Në ora: 08:55
Foto ilustrim

Ka përfunduar aksioni i Policisë së Kosovës në katër nga pesë lokacionet që po bastisen me urdhëresë të gjykatës në komunat veriore të Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë për veriun e Mitrovicës.

“Lidhur me zhvillimet e fundit në veri, janë duke u zhvillu aksione në 5 lokacione në tri komuna. Në katër prej lolacioneve të bastisura, aksioni ka perfundu”, tha Elshani.

Sulmi terrorist në Banjskë, Policia po zhvillon operacion në pesë lokacione në tri komunat veriore.

Prishtinë- Policia e Kosovës (PK) njofton se më bazë të urdhëresës së gjykatës, po zhvillohen kontrolle në pesë lokacione në tri komunat në veri të Kosovës.

Në njoftimin e Policisë, thuhet se ky operacion po zhvillohet lidhur me ngjarjet e fundit të ndodhura në fshatin Banjskë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Sot, me datën 29.09.2023 Policia e Kosovës është duke zbatuar urdhëresën e gjykatës kompetente për kontrolle, në pesë lokacione në tri komunat në veri të Kosovës. Këto operacione janë duke u zhvilluar lidhur me ngjarjet e fundit të ndodhura në fshatin Banjskë”, thuhet në njoftim.

Aty thuhet se është në vendin e ngjarjes edhe prokurori.

“Operacioni policor është duke vazhduar nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës, me prezencën në vend ngjarje të Prokurorit (të PSRK-së). Me këtë rast Policia e Kosovës njofton qytetarët se nuk kanë nevojë për ndonjë shqetësim”, thuhet më tej.

Bëhet e ditur se këto urdhër kontrolle, janë duke u zbatuar në koordinim me EULEX dhe KFOR.

Ndryshe, në sulmin terrorist të së dielës mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, u plagos zyrtari policor Alban Rashiti e u lëndua një tjetër. Të vrarë mbetën edhe tre sulmues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat