Politico: Nga sulmi terrorist, Kosova përfiton në tavolinë – Vuçiq s’duket partner konstruktiv

Aktuale

Politico: Nga sulmi terrorist, Kosova përfiton në tavolinë – Vuçiq s’duket partner konstruktiv

Më: 2 tetor 2023 Në ora: 23:37
Foto nga veriu

Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, në sytë e ndërkombëtarëve, e ka vendosur Kosovën në piedestal. Serbia, në anën tjetër, nuk duket më si palë konstruktive. Kështu i paraqet Politico zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, në një analizë ku shtjellohet se kënd e favorizojnë ato.

Duke krahasuar komentet nga liderët kosovarë dhe atyre serbë, për sulmin terrorist të 24 shtatorit, del se Beogradi fshihet pas tensioneve. Me konfirmim të liderit serb, Aleksandar Vuçiq, kryeterroristi Milan Radojiçiq kreu sulmin në Banjskë, ku mbeti i vrarë një pjesëtar i Policisë së Kosovës. Përfshirjen e tij e ka pranuar vetë Radojiçiqi.

Bojan Pajtiq, profesor serb i drejtësisë dhe ish-president i krahinës autonome të Vojvodinës brenda Serbisë, pajtohet se provokimi në Banjskë s’mund të ketë ndodhur pa dijeninë e agjencisë së sigurisë, BIA-s serbe.

Ai ka thënë se nuk ka gjasa që BIA të mos ketë vënë re operacionin e përmasave kaq të mëdha, që ishte brenda një zonë aq të vogël.

“BIA zakonisht e di se kush me kë ka pirë kafe dje në Zveçan”, ka thënë ai, për Politico.

“Kur ndodh një incident që nuk është i rastësishëm, por rezultat i përpjekjeve të dikujt, gjithmonë rrjedh pyetja se në interesat e kujt është ai”, tha Pajtiq. “Në këtë rast, sigurisht që nuk është në interesin e Aleksandër Vuçiqit, sepse pas përpjekjes së fundit për dialog në Bruksel, në sytë e Perëndimit, në raport me Kurtin, ai ende dukej si një partner konstruktiv”.

Tutje, shkruan Politico, Pajtiq nuk është i vetmi që hamendëson se në interes të kujt ishte sulmi terrorist, dhe deri më tani, si Uashingtoni ashtu edhe Brukseli kanë qenë jashtëzakonisht të kujdesshëm në komentet e tyre.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se BE-ja do të presë përfundimin e hetimit përpara se të dalë në ndonjë përfundim. Uashingtoni, i kujdesshëm për të mos mbajtur anë, gjithashtu nuk ka qenë specifik se kë fajëson.

Kjo, natyrisht, është në kontrast të thellë me Moskën, e cila edhe pritej t’ia mbante anën Serbisë, siç ndodh tradicionalisht, duke akuzuar Prishtinën për spastrim etnik në veri të Kosovës.

Kjo është edhe e njëjta gënjeshtër e përdorur për të justifikuar pushtimin e plotë të Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin.

“Ky incident, shembulli më i rëndë i dhunës në Kosovë për vite me radhë, i ktheu tavolinat Vuçiqit,” tha Dimitar Bechev, një studiues vizitor në Carnegie Europe.

Mirëpo ai ka vënë në pikëpyetje nëse sulmi nuk u urdhërua nga Vuçiqi por ishte një operacion i pavarur nga ultra-nacionalistët serbë dhe udhëheqësit serbë të Kosovës, për çka tha se mund të dëshmojë se Vuçiq ka humbur kontrollin mbi “krahun e tij të djathtë”.

Mirëpo, Kosova në anën tjetër ka prezantuar mjaftueshëm dëshmi që e lidhin Beogradin zyrtar drejtpërsëdrejti me sulmin terrorist.

“Nëse historia e funksionimit të pavarur të Radoiçiqit vërtetohet, atëherë duket se Vuçiq ka humbur kontrollin mbi përfaqësuesit e tij të dikurshëm,” tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat