“Jam në pozicion të vështirë për shkak të ekzekutimit të dobët të planit nga Radoiçiq” – ambasadori i Kosovës në SHBA ironizon me intervistën e Vuçiqit

Aktuale

“Jam në pozicion të vështirë për shkak të ekzekutimit të dobët të planit nga Radoiçiq” – ambasadori i Kosovës në SHBA ironizon me intervistën e Vuçiqit

Më: 3 tetor 2023 Në ora: 09:44
Ambasadori i Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli

Ambasadori i Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli ka ironizuar me deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilat i dha në një intervistë për CNN me gazetaren Christiane Amanpour.

Dugolli në një postim në platformën “X” ka shkruar se justifikimi i Vuçiqit këtë herë duket se është se “unë jam në një pozicion të vështirë”.

“Thelbi i justifikimit të Vuçiqit këtë herë duket se është: Unë jam në një pozicion të vështirë përballë provave të pakundërshtueshme që Policia e Kosovës kapi dhe për shkak të ekzekutimit të dobët të planit nga Radoiçiq, kështu që të gjithë duhet të vazhdojnë të mbajnë fjalën time për të ndërsa vazhdoj të tregoj më shumë informacione të pasakta”, ka shkruar Dugolli.

Gjatë intervistës në CNN, Vuçiq pranoi se janë tërhequr trupat ushtarake serbe, të cilat ishin vendosur afër kufirit me Kosovën pas thirrjeve nga SHBA dhe BE, teksa u justifikua me faktin se për manovrat ushtarake vendosin drejtuesit e ushtrisë dhe jo ai.

Vuçiq tha se kurrsesi nuk dëshiron një luftë me Kosovën, pasi do të ishte një konflikt me NATO-n.

“Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar tani. Ne duam të shohim një prani më të madhe të KFOR-it në Kosovë”, citohet të jetë shprehur presidenti serb.

Ndërsa pyetjes së Amanpour nëse organizatori i sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiq, do të vihej para drejtësisë, ai u përgjigj duke thënë se drejtësia do të bëjë punën e saj, por pa konfirmuar nëse do ta dorëzojë atë tek autoritet e Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat