Minatori tregon se cilët deputetë ndërmjetësuan marrëveshjen për ndërprerjen e grevës

Aktuale

Minatori tregon se cilët deputetë ndërmjetësuan marrëveshjen për ndërprerjen e grevës

Më: 3 nëntor 2023 Në ora: 13:34
Gani Osmani

Minatori Gani Osmani ka thënë se mbrëmë pas mesnatës është bërë një marrëveshje mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe drejtorit për Monitorim për Ndërmarrje Publike, inxhinierëve të “Trepçës” e një grupi të punëtorëve.

Ai ka thënë tutje se deputetët e LVV-së që ndërmjetësuan ishin: Armend Muja, Arjeta Fejza dhe Halil Thaçi.

Osmani ka thënë se deputetët e kanë dhënë një garancion, për kërkesën e parë që ishte mos-vonesa e pagave. Sipas tij, deputetët kanë thënë se kjo nuk do të ndodhë më.

Për shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv deputetët kanë propozuar që të hapet konkursi që do të zgjedhet një kryeshef i ri ekzekutiv. Ndërsa për kërkesën e fundit, përmirësimin e kushteve të punëve, Osmani ka thënë minatorët janë pajtuar që për këtë duhet të presin.

“Në një lloj mënyre, minatorët u kanë besuar deputetëve të Republikës së Kosovës. E kanë ndërprerë grevën, një lloj zhgënjimi dhe nënçmimi e kanë pasë”, ka thënë Osmani, duke shtuar se minatorët nuk i kanë pritur mirë deputetët sepse sipas tyre, vizita e tyre mund të ishte në ditët e para të grevës dhe jo pas 10 ditëve.

Kur u pyet se nëse beson që deputetët do t’i mbajnë “premtimet” e tyre, Osmani u shpreh optimist por nëse ndodh e kundërta sipas tij, ky do të ishte “zhgënjim total në pushtet dhe qeveri”, derisa ka ritheksuar se çështja e pakënaqësive e minatorëve mund të zgjidhej “për 10 minuta”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat