“Historitë horror të Beogradit”: FAZ-i i del kundër propagandës serbe ndaj Kosovës

Aktuale

“Historitë horror të Beogradit”: FAZ-i i del kundër propagandës serbe ndaj Kosovës

Më: 6 nëntor 2023 Në ora: 15:47
Michael Martens

Gazetari i mirënjohur gjerman, Michael Martens, i ka dedikuar një shkrim në prestigjiozen gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung propagandës horroriale të Serbisë për “spastrim etnik” në Kosovë. Qe qysh provohet që të çmontohet kjo propagandë.

Për të gjithë ne kjo propagandë çmontohet menjëhershëm nga realiteti. Por, fatkeqësisht, propaganda e Serbisë duket qartë se e synon veshin e serbëve në Serbi dhe veshin e ndërkombëtarëve që të dënohemi edhe më rrastë me ndëshkime ne kosovarët, siç ndodhi në muajin qershor.

Artikulli në fjalë është i titulluar në mënyrë të qartë: “Pse historitë horror të Beogradit janë thjesht propagandë”.

Fillimisht, aty shtrohen pretendimet e ngritura e të përsëritura nga pushteti në Beograd – nisur nga presidenti serb Vuçiq – që thonë se ka një diskriminim sistematik e mizor në Kosovë.

“Në korrik, Aleksandër Vuçiqi foli për “tortura dhe persekutime të rënda”, për “pogrome” dhe për “spastrim etnik” që po e pësonte popullata serbe në shtetin që Serbia nuk e njeh.”

Për këto pretendime që përsëriten edhe nga kryeministrja serbe Ana Bërnabiq e nga kryediplomati Ivica Daçiq – ndër tjerë – FAZ thotë se janë “thjesht propagandë”.

Aty ofrohet si fakt edhe raportimi i gjashtë muajve të fundit nga hiç më pak se UNMIK-u. Edhe pse ndoshta, nuk është referenca më e mirë e mundshme. Fatkeqësisht, raporti citon disa raste jo fort të mira për Kosovën – e që përmenden nga FAZ – përfshirë edhe injorimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronën e Manastirit të Deçanit.

Megjithatë, aty përmenden edhe të tjera gjëra që në mënyrë të qartë e kontestojnë propagandën e Serbisë.

Pasi përmend se si ishte raportuar nga UNMIK-u ngucja e një ambulance nga policët tanë, artikulli thotë:

“...raporti i OKB-së mund të kishte përmendur që mungesa e dyshimit te auto-ambulancat është keqpërdorur në të kaluarën për të kontrabanduar armë dhe municione nga Serbia në Kosovë,”

Përveç kësaj, Martens shkruan edhe rreshtat në vijim:

“...UNMIK-u përmend gjithashtu se disa nga sulmet kundër serbëve të Kosovës besohet se vijnë nga serbët e tjerë të Kosovës.”

Një gjë që do të ndihmonte këtu për ilustrim ishte djegia e veturave të serbëve që i kishin konvertuar targat ilegale në targa legale të Republikës së Kosovës. Prapa këtyre veprimeve dyshohet se janë radikalë nga komuniteti serb.

Një tjetër presion i serbëve ndaj serbëve që përmendet këtu ishte edhe ai për të mos u futur në Policinë e Kosovës. Gjë po ashtu e dëshmuar, e kundër të cilit kishte reaguar edhe ambasada e ShBA-ve.

Megjithëse në artikull thuhet që “kushtet (për serbët) nuk janë ideale”, vazhdohet duke thënë që përmendja e “spastrimit etnik” përbën “ekzagjërim grotesk” nga ana e Beogradit.

Disa analistë e kanë parë gjuhën e Beogradit ndaj Kosovës si të rrezikshme dhe luftënxitëse përgjatë muajve të fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat