Profili i ish-ushtarit të UÇK-së - Kush është Lirim Jakupi, i dënuari me 27 vite burg për vrasjen e dajës së tij?

Aktuale

Profili i ish-ushtarit të UÇK-së - Kush është Lirim Jakupi, i dënuari me 27 vite burg për vrasjen e dajës së tij?

Më: 13 nëntor 2023 Në ora: 17:30
Lirim Jakupi

Lirim Jakupi është dënuar me 27 vjet burgim për vrasjen e rëndë të Bakush Veselit, si dhe për armëmbajtje pa leje. Veseli ishte daja i Jakupit, tanimë i dënuar më 27 vjet burgim.

Gjykata Themelore në Gjilan ka marrë aktvendim dënues edhe për Afrim Ismajloviq me 24 vite burgim për veprën penale vrasje armëmbajtje pa leje.

Ndërkaq, Faton Osmani është dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë.

“Trupi gjykues pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, të akuzuarit L. J. i ka shqiptuar dënim unik në kohë zgjatje prej 27 (njëzeteshtatë) vjet burgim, ndërsa të akuzuarit A. I., i ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 24 (njëzetekatër) vjet”, u tha në njoftimin e gjykatës

Kush është Lirim Jakupi?

Lirim Jakupi është i njohur për vepra penale si vrasje e arratisje nga burgu.

Ai ishte luftëtari i tri luftave në trojet shqiptare, atë të Kosovës, të Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, si dhe luftës së Maqedonisë.

Ai përjetoi burgjet e UNMIK-ut, burgjet e Kosovës, EULEX-it, Maqedonisë, KFOR-it, Serbisë dhe shumë procese tjera.

Lirim Jakupi ishte përballur me shumë akuza nga drejtësia si ajo vendore, serbe e ndërkombëtare për krime lufte.

Për veprat e kryera në Maqedoni gjatë periudhës shtator-dhjetor 2014, Lirim Jakupi akuzohej nga EULEX-i. Ndaj Jakupit edhe ishte ngritur aktakuza për kryerje të vrasjes së rëndë në tentativë, shkaktim të lëndimit të rëndë trupor dhe sulm kundër personave zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës.

Rasti sipas EULEX-it ka të bëjë me pretendimet që i pandehuri, në shtator dhe në dhjetor 2004, ka sulmuar dhe ka hapur zjarr ndaj zyrtarëve policorë në Shkup dhe në Tetovë duke iu shkaktuar lëndime të rënda.

EULEX pretendon se Lirim Jakupi iku nga vendi i krimit. Ai u arrestua në Kosovë në janar të vitit 2014 dhe prej atëherë ka qenë në paraburgim. Ky ishte një hetim i përbashkët i kryer nga hetuesit e EULEX-it të njësitit të krimit të organizuar së bashku me prokurorët dhe hetuesit nga Republika e Maqedonisë ka sqaruar EULEX-i.

Jakupi kishte tentuar t’i ikë drejtësisë në rastin e vrasjes së dajës së tij. Ai në një prononcim për media disa ditë pas kryerjes së veprës kishte thënë se gjatë ditës së krimit kishte qenë në Prishtinë, jo në Gjilan ku kishte ndodhur vrasja.

“Unë kam qenë në Prishtinë me familje, sot kthena dhe shkoj drejt në polici”, kishte thënë ai.

“Unë i besoj drejtësisë dhe shpresoj që shumë shpejt të zbardhet ky rast. Ju faleminderit për mirëkuptim”, kishte thënë ai.

Çka parasheh aktakuza?

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të ngritur më 30 shtator 2022, Lirim Jakupi dhe Afrim Ismajloviq akuzoheshin se më 12 shtator 2021, rreth orës 19:42 minuta, në kafenenë “Cafe Bar “Premium” në rrugën “Villiam Shekspir” në Gjilan, pas një përgatitje paraprake, me dashje dhe në bashkëveprim, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Bakush Veslei., nga Gjilani dhe kanë vënë në rrezik me dashje jetën e disa personave tjerë që kanë qenë në kafene dhe afërsi të tani të ndjerit.

Sipas aktakuzës bashkërisht kanë ardhur me veturën e markës “Audi A3”, të cilën po e drejtonte tani i pandehuri i tretë Faton Osmani, ndalen tek marketi “Korqa” dhe nga automjeti dalin dy të dënuarit (Jakupi dhe Ismajloviq) të armatosur me armë dhe nisen në drejtim të kafenesë dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, i afrohen në shpejtësi tani të ndjerit Veselit, i cili ishte në shoqëri edhe me dy persona të tjerë ulur në karrige dhe po bisedonin, dhe me atë rast aty me shpejtësi arrijnë dy të pandehurit me armë në dorë dhe nga distanca prej rreth një metër, i pari shtie i pandehuri me pistoletë të kalibrit 9 mm, duke i zbrazur tetë fishekë dhe në vazhdim edhe i pandehuri tjetër, me revole të kalibrit 7.65 mm, duke e goditur me gjashtë plumba, në pjesë vitale të trupit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat