“Dikush të japë përgjegjësi për këtë shkallë të pasigurisë”, thotë Çitaku pas dy vrasjeve në Prishtinë

Aktuale

“Dikush të japë përgjegjësi për këtë shkallë të pasigurisë”, thotë Çitaku pas dy vrasjeve në Prishtinë

Më: 30 nëntor 2023 Në ora: 08:15
Vlora Çitaku

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka reaguar për dy vrasjet e ndodhura të mërkurën e 29 nëntorit, në Prishtinë.

Përmes një statusi në Facebook, Çitaku ka kërkuar përgjegjësi për atë që ajo e quan shkallë e pasigurisë.

“Dy vrasje brenda natës në kryeqytet. Përtej dhimbjes dhe solidaritetit me familjarët e viktimave, dikush duhet të japë përgjegjësi për këtë shkallë të pasigurisë. Vrasje, plaçkitje, rrahje gjithandej. E tmerrshme”, shkroi ajo.

Të mërkurën e 29 nëntorit Prishtina dhe i gjithë vendi u trondit nga dy vrasje që ndodhën brenda dy orësh.

Liridona Murseli, bashkëshortja e ish-këshilltarit të presidentit Behgjet Pacolli, Naim Murseli, mbeti e vrarë pas të shtënave që u dëgjuan në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

Sipas informatave që posedon redaksia, dyshohet se fillimisht Murseli, i cili ishte me familje në veturë, ishin cak i një grabitjeje, ku pas të shtënave nga grabitësit mbeti e vrarë gruaja e tij.

Policia e Kosovës poashtu ka njoftuar se një tjetër vrasje ka ndodhur në Prishtinë, më saktësisht në rrugën “Ali Vitia”, në kryeqytet.

Këtë e ka konfirmuar për Dukagjinin, zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka theksuar se dyshohet se viktima u ther me thikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat