​Qytetarët për rastin e Liridona Ademajt, vrasësi meriton burg të përjetshëm

Aktuale

​Qytetarët për rastin e Liridona Ademajt, vrasësi meriton burg të përjetshëm

Më: 2 dhjetor 2023 Në ora: 17:45
​Qytetarët për rastin e Liridona Ademajt, vrasësi meriton burg të përjetshëm

Vrasja monstruoze e Liridona Ademajt në Sinidoll të Prishtinës është pritur me tronditje nga qytetarët. Ata kërkojnë që vrasja e Liridonës duhet dënuar dhe drejtësia duhet të triumfojë.

Ata thonë se janë ndier të shokuar kur kanë dëgjuar rastin e vrasjes makabre.

Qytetari Hasan Ramadani, derisa tregon se si ka dëgjuar për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, thotë se vrasësi meriton burgim të përjetshëm.

Ramadani: Vrasësi i Liridonës meriton burg të përjetshëm

Kjo punë është shumë rëndë. Po thonë, ai burri e paska bërë me qëllim, sepse me gruan dhe dy fëmijë ka ikur dhe e ka lënë... Ai e paska paguar njeriun 30 mijë euro, e ka pranuar. Po thonë se kështu ka ndodhur. Nuk ka ndodhur mirë, por ndodhin te ne këto... Me asgjë vrasja nuk arsyetohet në këtë tokë dhe botë... Ai ka mund të ndahet me të dhe jo të hyjë për vrasje, me u bë nami i zi... Me pas mundësi e kisha dënuar përjetshëm, mos të del jashtë me vdekje. Nuk ka vetëm burg të përjetshëm. Pa i dënuar mirë, nuk ndalen”, tha Ramadani.

Qytetarja Valdete Aliaj e quan rastin e vrasjes së Liridona Ademajt si shumë të komplikuar, pasi për momentin nuk dihet saktë motivi.

Aliaj: Arsyen e vrasjes së Liridonës nuk mund të dijë askush

“Shumë e komplikuar. Nuk e di arsyen. Duhet pasur shumë arsye. Në këtë aspekt sigurisht se kanë luajtur rol shumë gjëra paraprakisht, të jetë një bagazh që askush nuk mund ta di, por si veprim shumë i papranueshëm. Çfarëdo dënimi nuk ka peshë, por sigurisht ai duhet dënuar”, tha Aliaj.

Edhe qytetari Avdi Vllasa shprehet i tronditur me rastin. Ai thotë se bashkëshorti i së ndjerës është dashur të divorcohet e jo të kryejë krim makabër.

Vllasa: Bashkëshorti i të ndjerës është dashur të ndahet, jo ta vrasë atë

“Nuk e di se çka mund të ketë një njeri, a është i sëmurë psikik, i sëmurë apo çka. Munden organet e gjithësisë, por domethënë ka pasur mundësi tjera, të divorcohet. Nuk e shoh të arsyeshme. Për sa i takon dënimit, gjykata duhet të tregojë”, tha Vllasa.

Ndryshe, dje i është dhënë lamtumira e fundit Liridona Ademajt, e vrarë tri ditë më parë në Prishtinë.

Policia e Kosovës ka arrestuar bashkëshortin e saj, Naim Murseli, i dyshuar se e ka porositur vrasjen, si dhe Granit Plavën, që sipas prokurorisë është dorasi.

Lidhur me rastin është arrestuar edhe një person i tretë Kushtrim Kokalla, pjesëtar i FSK-së. Derisa, pas arrestimit të Naim Murselit, bashkëshortit të Liridonës, familja Murseli ka bërë të ditur se e pamja është anuluar.

Pas kësaj ngjarjeje të rëndë ka pasur reagime të shumta nga institucionet dhe shoqëria civile.

Tre të dyshuarit për vrasjen monstruoze të Liridona Ademajt nesër pritet të dalin para gjykatës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat