Alija: Salih Mustafa nuk do të transferohet në burgjet e Kosovës

Aktuale

Alija: Salih Mustafa nuk do të transferohet në burgjet e Kosovës

Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 19:25
Salih Mustafa

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare thotë se Salih Mustafa nuk mund të transferohet në burgjet e Kosovës për të vuajtur dënimin.

Por, Alija thotë se ai mund të transferohet në ndonjë shtet tjetër të Evropës.

“Në burgjet e Kosovës nuk do të transferohet, por në ndonjë shtet të Evropës. Një shtet, i cili do të shprehte interesim dhe në marrëveshje me kryetarët e Dhomave të Specializuara do të vendosnin se në cilin shtet do të transferohej që ta vuaj dënimin”, tha ai.

Ai thotë që Gjykata Speciale do të bëjë një marrëveshje për transferimin e Mustafës në një shtet tjetër.

“Unë nuk besoj që kjo mund të ndodhë me kërkesë të mbrojtjes, por ligji e ka specifikuar që me palët e interesuara apo shtetet të cilat shprehin interesim edhe me një marrëveshje brenda mes kryetares dhe shtetit, apo Ministrisë së Drejtësisë nga shteti përkatës, i cili e shpreh një interesim për ta pranuar që personi i dënuar ta vuajë dënimin. Atëherë sigurisht që Gjykata Speciale do të bën një marrëveshje për transferimin e dënimit në tjetër shtet”, tha ai.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme, paneli i Apelit të Dhomave të Specializuara i ka ulë dënimin Salih Mustafës, ish komandant Calit, nga 26 në 22 vite.

Ish komandanti i UÇK-së, Salih Mustafa, mori vendimin e Apelit për dënimin e tij nga shkalla e parë e gjyqësorit në Hagë, me 26 vite burgim. Paneli i apelit, numëroi kundërshtitë e mbrojtjes së Mustafës, që u rrëzuan pasi që nuk ishin të argumentuara. Mirëpo, apeli uli dënimin e njësuar nga 26 në 22 vite burgim, pasi zvogëloi dënimet për akuzat veç e veç.

Salih Mustafa u arrestua dhe u dërgua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020. Aktgjykimi i Trupit Gjykues u shqiptua më 16 dhjetor 2022 dhe Urdhri për Zhdëmtim më 6 prill 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat