Rastet kur KQZ-ja mund të pezullojë një parti politike

Aktuale

Rastet kur KQZ-ja mund të pezullojë një parti politike

Më: 27 dhjetor 2023 Në ora: 10:41
Foto ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka në rend dite rekomandimin për pezullimin e dy subjekteve politike për mos mbajtjen e kuvendit zgjedhor. Njëra prej tyre është Partia Socialdemokrate (PSD) që udhëhiqet nga Dardan Molliqaj. E KQZ-ja ka një rregullore bazuar në të cilën jepet rekomandimi për pezullimin e një subjekti politik. Ja çfarë thotë kjo rregullore?

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është në rend dite rekomandimi për pezullimin e dy partive politike, përfshirë edhe Partinë Socialdemokrate që udhëhiqet nga Dardan Molliqaj.

Kjo për shkak që ky subjekt politik nuk e mbajti kuvendin zgjedhor deri më 15 dhjetor sa kishte afat.

E sipas një rregullore të KQZ-së, janë disa raste kur mund të pezullohet një parti politike. Rregullorja thotë se KQZ mund të pezullojë nga regjistri partinë politike për mos mbajtjen e Kuvendit të partisë politike. Pezullimi mund të vie edhe në rast se partia nuk e ka informuar zyrën për mbajtjen e kuvendit të saj. Kjo rregullore përcakton se në rast se një parti politike nuk i dorëzon raportet e përditësuara dhe të kompletuara vjetore dhe raportin financiar vjetor deri më 31 mars të vitit vijues, subjekti politik rrezikon pezullimin.

Poashtu nëse partia politike nuk e miraton statutin dhe programin, nëse shkel nenin dhe rregullën mbi financimin e subjekteve politike dhe sanksionet, si dhe nëse nuk i ka kthyer paguesit mbetet të cilat nuk janë të miratuara ose të njëjtat nuk i ka paguar në buxhetin e Kosovës një parti politike pezullohet.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë sot rekomandimin për pezullimin e Partisë Socialdemokrate. Kjo gjë është konfirmuar tashmë nga zyrtarët e Partisë Socialdemokrate.

Rregullorja përcakton se zyra menjëherë pas pezullimit të partisë politike shënon në regjistrin e partive pezullimin e subjektit dhe informon partinë politike me shkrim për hapat e nevojshëm për ta kthyer regjistrimin e parisë në gjendje të rregullt, si dhe për të drejtën e saj për të ushtruar ankesë kundër pezullimit.

E një parti politike që është pezulluar, nuk merr asnjë financim publik dhe nuk certifikohet nga KQZ—ja për të marrë pjesë në zgjedhje.

Zyrtarja e Partisë Socialdemokrate Natyra Kuçi ka thënë se çështja e rekomandimit të pezullimit të kësaj partie ka të bëjë me disa procedura teknike që sipas saj do të rregullohen në afat prej 45 ditësh

Tutje ajo paralajmëroi se në janar PSD-ja do të mbajë Kuvendin e saj sipas afatit dhe se do të monitorohet nga KQZ-ja.

“ Ka te beje me disa procedura teknike te cilat gjate afatit 45 ditësh do t’i rregullojmë. Nuk ka vend për shqetësim. Ne janar PSD do ta mbaje Kuvendin e saj, sipas afatit te rregullt dhe te monitoruar nga KQZ. Për afatet dhe detajet qe lidhen me mbledhjen e Kuvendit do te njoftoheni me kohe.  “, ka thënë ajo.

Ndërkaq, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka sqaruar se sipas rekomandimit për PSD-ja e ka pasur për obligim që ta mbajë kuvendin zgjedhor deri më 15 dhjetor, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Në mbledhjen e planifikuar të mbahet sot, KQZ do të shqyrtojë dy rekomandime të Zyrës për Certifikim, Regjistrim dhe Kontrollin Financiar të Partive Politike (ZCRKFPP) për pezullimin e partive politike Lëvizja për Bashkëveprim dhe Partia Socialdemokrate. Lëvizja për Bashkëveprim ka pasur për obligim që ta mbajë konventën/kuvendin zgjedhor deri më 8 dhjetor, ndërsa Partia Socialdemokrate deri më 15 dhjetor të këtij viti, andaj sipas rekomandimit që do të shqyrtohet në KQZ, këtyre partive politike u jepet një afat shtesë prej 45 ditësh që ta mbajnë konventën/kuvendin e tyre zgjedhor”, ka thënë ai.

Elezi tha se në rast se këto parti nuk e mbajnë kuvendin zgjedhor sipas afatit shtesë që u është dhënë, KQZ-ja me vendim mund t’i çregjistrojë ato.

“Po sipas rekomandimit, nëse partitë politike nuk mbajnë konventën/kuvendin zgjedhor as pas këtij afati shtesë, atëherë, sipas Rregullores për regjistrimin dhe funksionimin e partive politike, KQZ me vendim e çregjistron atë.  Partitë politike të regjistruara në Kosovë, e kanë për obligim ligjor që të mbajnë kuvendin zgjedhor brenda 6 muajve nga data e regjistrimit të partisë dhe pastaj së paku çdo 48 muaj”, thuhet tutje në përgjigjen e tij.

Mbledhja e KQZ-së do të mbahet me fillim nga ora 13:30, ndërsa në rend dite është edhe rekomandimi për pezullimin e partisë politike Lëvizja për Bashkëveprim dhe rekomandimi për shlyerjen e borxheve të partive politike dhe subjekteve politike për periudhën 2014-2020 nga Regjistri i llogarive të arkëtueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat