Familja Dakaj në frikë për djalin që ndodhet në burgjet serbe

Aktuale

Familja Dakaj në frikë për djalin që ndodhet në burgjet serbe

Më: 8 janar 2024 Në ora: 07:29
Hasan Dakaj

Të premten morën rrugë drejt Evropës.

Bashkë me vëllain, Xhavitin, Hasan Dakaj shfrytëzoi të drejtën e lëvizjes pa viza.

Por udhëtimi i tyre u ndërpre në gjysmë.

Kjo pasi me të hyrë në shtetin fqinj, automjeti i tyre u ndalua nga policia serbe.

Kështu, ish ushtari i UÇK-së, Hasan Dakaj u arrestua nga autoritetet e shtetit serb kurse vëllai i tij u kthye në shtëpi.

E për veprën penale për të cilën dyshohet, për mbrojtje – Dakajt i është caktuar një avokat serb.

“Unë informatat e sotshme që i kam është se atij i është caktuar një avokat nga Serbia dhe dyshohet për krime lufte dhe nga qendra e burgimit në Kurshumli, Hasan Dakaj është dërguar në qendrën e paraburgimit në Beograd”, ka thënë Smakiqi për Tëvë 1.

Avokati i Dakajt, Xhevdet Smakiqi dyshon se ish ushtarit tw UÇK-sw i është caktuar masa e paraburgimit.

“Kemi informacione të paqarta se do të mbahet edhe një seancë dëgjimore të martën. Nuk e dimë por ka gjasa shumë të mëdha që i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh”, shprehet ai.

Sipas Smakiqit, familja e Hasan Dakaj është në frikë për djalin e tyre që ndodhet në burgjet e Serbisë.

Ndërsa paraburgimin e tij, avokati i familjes e quan politik.

“Përmes avokatit por edhe njëherë i është lejuar me telefonin e avokatit serb i është lejuar kontakti me familjen e tij dhe për momentin nuk ka kurrfarë kontakti dhe ata janë në gjendje shumë të keqe emocionale dhe janë në frikë të madhe se mund të torturohet apo të ndodhë diçka edhe më keq, prandaj unë si avokat i familjes Dakaj kam marrë të gjitha veprimet duke i shkruar kërkesa edhe me shkrim edhe me komunikim të drejtpërdrejt me zyrën ndërlidhëse të Kosovës, me z. Jetish Jashari jam në kontakt orë pas ore; i kemi lajmëru edhe ambasadat dhe ndërmjetësit në Bruksel dhe konsideroj se është më shumë ndalim politik sepse është ushtar i UÇK-së dhe Serbia po e bën si hakmarrje që ata të mos e shfrytëzojnë të drejtën e liberalizimit të vizave”, thotë ai.

Madje Smakiqi thekson se Hasan Dakaj është marrë gabimisht nga Prokuroria serbe.

“I kemi ndërmarrë të gjitha aktivitetet për t’i kërkuar ndihmë ndërmjetësve që të bëjnë presion diplomatik që Hasan Dakaj të lirohet sepse është i pafajshëm dhe konsiderojmë që ka edhe një gabim në identitetin e tij, nuk bëhet fjalë për këtë person dhe konsiderojmë që Prokuroria serbe ka gabuar, pra nuk është personi për të cilin ata po mendojnë. Para prokurorit, Hasan Dakaj ka deklaruar se nuk është personi që po mendoni ju sepse ai fare nuk ka operuar në atë pjesë ku dyshon Prokuroria e Serbisë” thotë avokati.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) ka dënuar, siç tha, ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe dhe kërkoi ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare për lirimin e tyre.

Për arrestimin e Hasan Dakaj ka reaguar edhe Sekretari i Zyres Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli, i cili theksoi se Serbia nuk ka juridiksion mbi qytetarët e Kosovës.

Mos kthimin në pikat kufitare në Kosovë të Hasan Dakajt, Haxholli gjithashtu e cilësoi si abuzim me të drejtën ndërkombëtare nga ana e Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat