Ministri Maqedonci konfirmon se Kosova ka kërkuar të blej raketat Javelin, jep edhe detaje tjera

Aktuale

Ministri Maqedonci konfirmon se Kosova ka kërkuar të blej raketat Javelin, jep edhe detaje tjera

Më: 11 janar 2024 Në ora: 17:46
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e ka konfirmuar se Kosova ka bërë kërkesë për blerjen e sistemit raketor antitank “Javelin”. Ai ka thënë se për këtë blerje ka diskutuar në Departamentin amerikan të Shtetit dhe Departamentin e Mbrojtjes.

Maqedonci ka thënë se kjo lëndë është përcjellë për aprovim në Kongres dhe se presin përgjigje pozitive.

“Ministria e Mbrojtjes mbështet Forcën e Sigurisë se Kosovës për t’i ndërtuar kapacitetet e mbrojtjes së territorit në koordinim me partnerët strategjikë, me theks të veçantë Shtetet e Bashkuara te Amerikës, në këtë aspekt Qeveria e Republikës së Kosovës me ShBA-të ka program bashkëpunimi për blerje ushtarake direkt me ShBA përmes programit FMS (Foreign Military Sales).

Në kuadër të këtij programi parashihen blerjet ushtarake, duke përfshirë sistemin raketor antitank “Javelin”, por dhe sisteme tjera të armatimit. Për sistemin Javelin është dërguar dhe pranuar kërkesa dhe për këtë rast blerje kam diskutuar në Departamentin e Shtetit dhe Departament të Mbrojtjes. Sipas informacioneve publike që keni marrë edhe nga ambasadori Hill, kjo lëndë tashmë është përcjellë për aprovim në Kongres dhe presim vendim pozitiv”, ka thënë Maqedonci për Dukagjinin.

Ndryshe, Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, është pritur sot në takim nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, të cilët diskutuan edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Në komunikatën e lëshuar nga Presidenca serbe thuhet se ambasadori Hill e ka njoftuar Vuçiqin se SHBA-ja ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave antitank Javelin. Siç citohet të ketë thënë Hill, Departamenti i Shtetit do t’ia dërgojë kërkesën e Kosovës Kongresit Amerikan për fillimin e procedurës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat