Hapen korridoret e reja ajrore që lidhin Kosovën e Shqipërinë, Aliu: Fluturimet shkurtohen për 08-12 minuta

Aktuale

Hapen korridoret e reja ajrore që lidhin Kosovën e Shqipërinë, Aliu: Fluturimet shkurtohen për 08-12 minuta

Më: 24 janar 2024 Në ora: 19:05
Liburn Aliu

Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, njofton se sot është mbajtur ceremonia zyrtare për hapjen e korridoreve të reja ajrore që lidhin Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Aliu informon se shkurtimi i trajektoreve të fluturimeve për dhe nga Kosova përfshinë 08-12 minuta.

“Ulja e kostove të fluturimit jo vetëm që ndikon në uljen e shpenzimeve për linjat ajrore, por gjithashtu kontribuon në uljen e emetimit të gazrave serrë, duke shërbyer si një dëshmi e përkushtimit tonë ndaj mbrojtjes së mjedisit dhe përkrahjes së praktikave të qëndrueshme në fushën e aviacionit”, thekson ai tutje.

Postimi i tij i plotë:

Sot mbajtëm ceremoninë zyrtare për hapjen e korridoreve të reja ajrore që lidhin Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë.

Bashkë me Kryeministrin Kurti, Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, drejtorin e Agjencionit të Shërbimit të Navigimit Ajror, Samir Bllacaku, si dhe përfaqësues diplomatikë, kolegë dhe bashkëpunëtorë, shënuam ngjarjen historike të hapjes së korridoreve të reja ajrore që lidhin Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë, si një prej të arriturave më të rëndësishme drejt përpjekjeve të vazhdueshme për normalizimin e hapësirës ajrore të Kosovës.

Shkurtimi i trajektoreve të fluturimeve për dhe nga Kosova për 08-12 minuta, e bën aeroportin e Prishtinës më konkurrues me aeroportet e tjera në rajon. Ulja e kostove të fluturimit jo vetëm që ndikon në uljen e shpenzimeve për linjat ajrore, por gjithashtu kontribuon në uljen e emetimit të gazrave serrë, duke shërbyer si një dëshmi e përkushtimit tonë ndaj mbrojtjes së mjedisit dhe përkrahjes së praktikave të qëndrueshme në fushën e aviacionit.

Ndërsa sot po e festojmë këtë arritje të rëndësishme, është e domosdoshme që të vazhdojmë më tej me punët e bashkërenduara me të gjithë akterët për normalizimin e hapësirës së lartë ajrore, përfshirë këtu kontrollin e plotë mbi hapësirën ajrore të lartë, ku bashkë me ASHNA, si një lojtar kyç në këtë proces, si në aspektin teknik ashtu edhe profesional, po angazhohemi maksimalisht në këtë drejtim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat