​Dinari vazhdon të qarkullojë në veri

Aktuale

​Dinari vazhdon të qarkullojë në veri

Më: 1 shkurt 2024 Në ora: 15:07
Foto ilustrim

Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës, sipas të cilit prej sot nxirret nga qarkullimi dinari serb, nuk ka penguar që qytetarët e veriut të Mitrovicës të paguajnë me dinarë për gjërat që kanë blerë nëpër dyqane të ndryshme.

Milloradi, njëri nga qytetarët e rrallë nga veriu i Mitrovicës i cili pranoi të flasë para kamerës, ka bërë të ditur për KosovaPress, se është në dijeni për vendimin e qeverisë së Kosovës rreth ndalimit të dinarit, por që edhe sot ka blerë gjërat e nevojshme me dinarë.

Ai tha se do ta respektojë vendimin e qeverisë së Kosovës atëherë kur ta respektojnë të gjithë qytetarët e asaj pjese.

Milloradi: Nëse të gjithë e respektojnë vendimin, normalisht do ta respektoj edhe unë

“Me dinarë kam paguar. Po kam dëgjuar për vendimin, por me dinarë tash për tash, si do të bëhet… Ku ta di, nëse të gjithë e respektojnë vendimin, normalisht do ta respektoj edhe unë’, ka thënë Milloradi.

Ndërkaq, edhe një pronar shqiptar i një dyqani në “Lagjen e boshnjakëve” në veri të Mitrovicës, u shpreh se mushterinjtë sot kanë paguar me euro, por serbët më shumë me dinarë.

Qytetari: Mushterinjtë blejnë me euro edhe me dinarë

“Mushterinjtë blejnë me euro edhe me dinarë, por serbët më shumë e përdorin dinarin” theksoi ai.

Situatë e ngjajshme rreth qarkullimit të dinarit po mbretëron sot edhe në komunat e Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, të banuara me popullatë shumicë serbe.

Ndryshe, autoritetet e vendit thanë të mërkurën se nga 1 shkurti (sot) do të hyjë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore mbi pagesat me para të gatshme në vend, por lanë të hapur mundësinë për një periudhë kalimtare për zgjidhjen e shqetësimeve të serbëve, të cilët vazhdojnë ta përdorin dinarin. Ata këtë periudhë kalimtare e quajtën tranzicion të lehtësuar, duke mos precizuar sesa kohë do të zgjasë kjo periudhë e tranzicionit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat