​Grafitet luftënxitëse kthehen në veri pas kërcënimit ndaj Kurtit, alarmon Musliu

Aktuale

​Grafitet luftënxitëse kthehen në veri pas kërcënimit ndaj Kurtit, alarmon Musliu

Nga: A.Zh Më: 11 shkurt 2024 Në ora: 12:02
Grafite nacionaliste e luftënxitëse në veri

Eksperti i sigurisë Agim Musliu, ka reaguar pasi në veri të Kosovës, janë shfaqur grafite nacionaliste e luftënxitëse një ditë pas kërcënimeve për atentat ndaj kryeministrit të vendit, Albin Kurti.

Aty janë rikthyer sërish mbishkrimet “Brigada veriore është gjallë” dhe “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.

Sipas Musliut, po ndodhë e njëjta gjë sikurse para sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, përcjell Bota sot.

“Dje, kërcënimi për Kryeministrin e Kosovës, i cili pasi u dekonspirua, gjoja u vu në diskutim nëse ishte i vërtetë nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe një pjesë e shqiptarëve;

Sot, grafite (Brigada e Veriut është gjallë & Kur ushtria të kthehet në Kosovë) sikurse para 24 shtatorit, agresionit në Banjskë;

Gjersa, krejt Evropa dhe SHBA janë këtë vit në zgjedhje, e ndoshta edhe Kosova, Serbia tashmë s'e ka këtë hall, sepse i ka vjedhë zgjedhjet. Putini po siguron mandat jetësor!

Perëndimi në gjumë, e Kosova ku?”, ka shkruar Musliu në një postim në Facebook.

Kryeministri Kurti është deklaruar për media dje rreth kërcënimeve me jetë, të cilat dyshohet se i ka pranuar së fundmi.

Ai ka thënë se këto kërcënime vijnë nga Beogradi zyrtar.

I pari i ekzekutivit ka shtuar se nuk është ndjerë i rrezikuar në Shkup, teksa ka shtuar se gjatë qëndrimit atje ka pasur forca të shumta policore.

“Kam mësuar se ka shumë kërcënime nga individë e struktura që kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Mirëpo, unë sapo erdha nga Shkupi, nuk jam ndjerë i rrezikuar, veçse kam parë shumë forca policore të cilët u kujdesen për mbledhjen në Shkup”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat