Analisti nga Shqipëria thotë se politika e Tiranës ka qenë e gabuar ndaj Kosovës

Aktuale

Analisti nga Shqipëria thotë se politika e Tiranës ka qenë e gabuar ndaj Kosovës

Më: 28 shkurt 2024 Në ora: 23:49
Alfons Zeneli

Analisti nga Shqipëria, Alfons Zeneli, tha se politika e Qeverisë së Shqipërisë, ka qenë mjaft e gabuar, posaçërisht kundrejt Kosovës.

Zeneli tha se nisma të ndryshme të Qeverisë së Tiranës, përfshirë Ballkanin e Hapur, kanë dëmtuar Kosovën, e njëkohësisht i kanë shërbyer imazhit të “shkatërruar” të Beogradit.

“Tirana është qendra e shqiptarëve dhe një Tiranë e fortë, një Tiranë që të jetë një pikë gravitacioni për gjithë rajonin, gjë që është shumë e mundshme, por është e mundshme vetëm në rast se Tirana do të zbatonte e do të aplikonte politika të drejta, të lidhura ngushtë  dhe vetëm konform interesave kombëtar. Fatkeqësisht, me aq sa kam parë gjatë këtyre zhvillimeve, politika e Tiranës ka qenë mjaft e gabuar, sidomos lidhur me Kosovën, sepse gjëja më e rëndësishme e shqiptarëve është Kosova. Ballkani i Hapur dhe nisma të tjera të Qeverisë së Tiranës, kanë dëmtuar Kosovën dhe kanë shërbyer imazhit të shkatërruar të Beogradit. Tirana mund të shndërrohet në qendër vetëm në qoftë se politikat e Qeverisë, sa i përket politikës së jashtme dhe politikës së brendshme, të jenë konform dhe të lidhura ngushtë me interesat kombëtare, vetëm atëherë Tirana vetvetiu mund të bëhet qendër e rajonit”, deklaroi Zeneli.

Ndërkaq, sa i përket samitit të mbajtur në Tiranë, “Ukrainë-Europa Juglindore”, me pjesëmarrje edhe të liderëve të Ballkanit Perëndimor, Zeneli tha se tubime e nisma të tilla, janë pozitive në parim.

“Sa i përket samitit, fjala siguri do të ishte kryefjalë. Po ta shikosh në parim, samitet, tubimet, kongreset, çdo gjë e tillë, janë pozitivë në parim, pasi bëhet shkas për të arritur në konkluzione për të marrë mendimet kolegjialisht, shtetet, njerëzit, e grupe të ndryshme. Nga kjo pikëpamje, e vlerësoj Samitin si nismë”, potencoi tutje Zeneli.

Prandaj sipas tij, ky samit s’mund të konsiderohet tërësisht i thjesht ku u vendosën vetëm gjëra për t’i ardhur në ndihmë Ukrainës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat