Bytyqi: Serbia kërkon të shpalosë një lloj sovraniteti në Kosovë përmes dinarit, por s’do të kalojë

Aktuale

Bytyqi: Serbia kërkon të shpalosë një lloj sovraniteti në Kosovë përmes dinarit, por s’do të kalojë

Më: 25 mars 2024 Në ora: 18:03
Prof. dr. Enver Bytyqi

Kosova dhe Serbia kanë përfunduar edhe një rund bisedimesh, pa arritur përparim për çështjen e dinarit serb. Lidhur me këtë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyqi, beson se do të gjendet një zgjidhje, edhe pse palët qëndrojnë shumë larg njëra tjetrës.

Bytyqi shprehet i bindur se Serbia kërkon që nëpërmjet dinarit të shpalosë një lloj sovraniteti në Kosovë por ai thotë se kjo nuk do të kalojë, nuk do të pranohet as edhe nga faktori ndërkombëtar.

“Ky takim përfundoi pa sukses, të dy palët ishin larg njëra tjetrës që paraqitën… por sot kryenegociatori Bislimi njoftoi se nuk u morën vesh për çështjen e dinarit. Mendoj dhe besoj që do të gjende një zgjidhje, qëndrimet qëndrojnë ende larg njëra tjetrës. Serbia kërkon që të vazhdojë përdorimi i dinarit jo se në këtë masë ajo mund të pretendojë të rregullojë jetën e serbëve në Kosovë por pretendon të dëshmojë që Kosova nuk është ende një shtet i pavarur’, u shpreh ai.

Sipas Bytyqit, emisari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ka bërë dhe vazhdon të bëjë presione sidomos mbi Kosovën. Kjo siç thotë profesori, me qëllim që Kosova të lëshojë rrugë.

“Por besoj që pala e Kosovës nuk do të pajtohet me asnjë opsion i cili cenon ligjin dhe rendin kushtetues në Kosovë ndërkohë që hapat e ndërmjetëm mund të pranohen me qëllim që vendimi të zbatohet pa pasur pasoja në jetën e qytetarëve. Vendimet do të zbatohen dhe jam i bindur se Qeveria e Kosovës nuk do të tërhiqet dhe kjo mos tërheqje do të thotë një hap mëtej për të shtrirë sovranitetin e Kosovës në të gjithë territorin veçanërisht në katër komunat në veri dhe ky është një lajm shumë i mirë”, tha tutje ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat