Komandanti i KFOR-it takon kontingjentin turk që patrullon përgjatë kufirit me Serbinë

Aktuale

Komandanti i KFOR-it takon kontingjentin turk që patrullon përgjatë kufirit me Serbinë

Më: 2 prill 2024 Në ora: 22:59
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka takuar sot personelin e KFOR-it të kontingjentit turk të caktuar në Batalionin Rezervë Operacional, përgjatë kufirit me Serbinë.

Në njoftimin e KFOR-it thuhet se “njësitë e Batalionit Rezervë Operacional kryejnë patrulla të rregullta në zonë për të garantuar lirinë e lëvizjes dhe një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet lokale”.

Gjatë ditës së djeshme, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se rreth 400 ekstremistë serbë po trajnohen përreth kufirit me Kosovën, teksa shtoi se nevojitet vetëm një urdhër i presidentit serb, Alleksandar Vuçiq, që ata të nisin sulme agresive.

“Rreth 400 ekstremistë serbë po trajnohen në zonat përreth kufirit me Kosovën dhe me një urdhër të Vuçiqit mund të aktivizohen në sulme agresive”, ka thënë Sveçla për “News24”.

Për mediat, KFOR-i ka thënë se i kanë shtuar patrullimet përgjatë vijës kufitare me Serbinë, ndërsa ka bërë thirrje që Kosovës dhe Serbia të vazhdojnë dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), me të cilët ky mision thotë se punojnë në koordinim të ngushtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat