Weller: Tokat e kishave serbe në Kosovë, të menaxhohen nga institucionet

Aktuale

Weller: Tokat e kishave serbe në Kosovë, të menaxhohen nga institucionet

Më: 4 prill 2024 Në ora: 00:32
Nora Visoka Weller

Nora Visoka Weller, avokate dhe studiuese në Universitetin e Kembrixhit tha se institucionet e Kosovës duhet t`i menaxhojnë pronat e manastireve e kishave serbe.

Duke folur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e manastirit të Deçanit ajo tha se vendimi është dashur të zbatohet edhe më parë. Sipas saj, Kosova duhet të dëshmojë se është shtet që zbaton ligjin e vet.

Megjithatë Weller thotë se problematika ekziston te menaxhimi i kësaj toke në të ardhmën.

“Çka duhet bëhet tani, është të bisedohet rreth menaxhimit të kësaj toke, çka do të bëhet në atë tokë. Sepse kisha edhe tani në tokat që i ka, prodhon verë, prodhojnë gjëra të ndryshme, por askush nuk e di sa si, sa dhe çka bëhet aty, sepse kisha është plotësisht e mbyllur”, deklaroi ajo.

Sipas Weller, tani duhet të krijohet një komunikim i hapur në mes të kishës dhe autoriteteve lokale dhe qëndrore të Kosovës.

“Nuk mund të mbahet më dera mbyllur, dhe nuk ka nevojë të komunikohet përmes ambasadave të ndryshme. Tani nuk guxon me ekzistu një komunikim i tillë dhe të shikohet se si do të menaxhohet toka”, theksoi Nora Visoka Weller.

Duke folur për objektin e ndërtuar në pronën e Univeristetit të Prishtinës, Nora Weller ritheksoi se ai objekt nuk mund të quhet kishë, sepse është ndërtuar në mënyrë të dhunshme dhe ilegale dhe nuk konsiderohet si objekt që ka ndonjë vlerë por si simbol i metodave që ka pasë regjimi I Millosheviqit që të okupojë sa më shumë territore.

“Nuk është një kishë, është një objekt që reprezenton dhunën e viteve 90-ta, më shumë se aq jo. Natyrisht për Kishën Ortodokse Serbe ata mund të pretendojnë se është një kishë, por çka mund të reprezentojë kjo kishë? A ka ndodhur diçka e rëndësishme historike aty? I vetmi fakt që ka ndodhur është se është ndërtuar në kohë kur ka pasë regjim të dhunshëm nga Serbia”, theksoi ajo në "RTK Prime".

Mes tjerash Weller tha se qëllimi i Kishës Ortodokse Serbë nuk është vetëm t’i mbrojë objeketet por që të krijojë identitet serb në të gjitha vendet ku ekzistojnë kishat ortodokse serbe.

Tutje, Weller tha se problemi kryesor është fakti se këto kisha serbe në Kosovë mbrohen nga UNESCO si territor i Serbisë, sepse UNESCO nuk e njeh Kosovën dhe i trajton këto objekte si në territor të Serbisë.

“Një prej dështimeve më të mëdha të Kosovës këto vitet e fundit është pasiviteti ndaj çështjes së anëtarësimit në UNESCO. Vërtetë nuk e kuptoj pse këto vitet e fundit nuk është bërë asgjë në drejtim të UNESCO-s”, tha ajo.

Weller foli edhe për shkatërrimin e objekteve të trashëgimisë së Kosovës gjatë luftës, ku rikujtoi se janë shkatërruar objektet fetare, artefakte e literaturë persiane. Ajo theksoi se Kosova nuk ka bërë shumë për dokumentimin e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore gjatë luftës.

“Ka ndodhë një shkatërrim sistematik i çfarëdolloj historie përveç asaj serbe. Dhe këto janë dokumentuar më së miri nga dy studiues amerikanë të cilët kanë qenë edhe dëshmitarë kundër, në gjykimin e Millosheviqit. Dhe aty ka mbetur dokumentimi i Kosovës”, tha Weller e cila theksoi se dokumentimi i shkatërrimit të trashëgimisë kulturore është çështje shumë e rëndësishme kombëtare.

Ajo mes tjerash foli edhe për studimin e saj për “trashëgiminë atrocitare”, që ka të bëjë me ndodhitë tragjike të luftës si varrezat masive dhe vendet ku zbulohen mbetje mortore të të masakruarve gjatë luftës në Kosovë.

Duke folur për varrezat massive në Serbi, studiuesja tha se në Batajnicë mund të ketë ende mbetje mortore të të masakruarve në Kosovë.

Lidhur me deklaratat se Kosova do të ngre padi për gjenocid ndaj Serbnisë, ajo tha se Kosova duhet të mësojë një metodë diskrete, të mos bëjë konkluzione të shpejta e mos t'i publikojë ato.

“Ne vazhdimisht flasim se çka do bëjmë, si do bëjmë, si do e padisim Serbinë, në anën tjetër Serbia del e para në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe na paditë ne ose na gjykon ne për çështje që nuk i kemi bërë”, theksoi Nora Visoka Weller.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat