Vllasi: Formimi i Asociacionit, obligim pas pranimit të Kosovës në KiE e jo kusht

Aktuale

Vllasi: Formimi i Asociacionit, obligim pas pranimit të Kosovës në KiE e jo kusht

Më: 4 prill 2024 Në ora: 12:30
Azem Vllasi

Analisti politik, Azem Vllasi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e sheh të mundshëm pas pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Këtë, Vllasi thotë se e sheh si obligim e jo si kusht.

‘’Formimi i këtij asociacioni ka mbetë si obligim pas pranimit të Kosovës në KiE e jo si kusht. Nuk është problem që ky Asociacion të formohet si formë e bashkëpunimit të serbëve dhe komunave me shumicë serbe, për disa çështje me interes specifik të tyre si shembull në arsim, kulturë, gjuhë, traditë’’, thekson ai.

Analisti Vllasi shprehet se themelimin e Asociacionit  e sheh përbrenda sistemit kushtetues të Kosovës e jo si një nivel të posaçëm i pushtetit serb nga Serbia.

‘’Gjithsesi, përbrenda sistemit Kushtetues e juridik të Kosovës, jo si nivel i posaçëm i pushtetit për serb dhe jo si e synon Serbia. Madje, kjo fare nuk është punë e negocimit me Serbinë si shtet tjetër. Është punë e brendshme e Kosovës dhe nevojë e qytetarëve të saj serb’’, potencon ai.

Vllasi thotë se çështja e Asociacionit nuk duhet të mbetët shkas i presionit ndaj Kosovës.

‘’Nuk di. Për këtë pyetni  Kurtin. Partnerët perëndimor dëshirojnë një deklarim të qartë të pushtetit kosovar se ky asociacion do të bëhet. Askush nga partnerët e jashtëm nuk kërkon që kjo të bëhet në kundërshtim me Kushtetutën. Nuk duhet që kjo çështje të mbetet si shkas presionit ndaj neve’’, deklaron Vllasi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat