Pacolli: Sekuestrimi i pasurisë së Radoiçiqit, mesazh për ata që janë pasuruar jashtëligjshëm

Aktuale

Pacolli: Sekuestrimi i pasurisë së Radoiçiqit, mesazh për ata që janë pasuruar jashtëligjshëm

Më: 5 prill 2024 Në ora: 08:00
Vila e Millan Radoiçiq

Deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli, ka folur lidhur me aksionin e sotëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ku u konfiskuan e sekuestruan një varg të pasurive të Milan Radoiçiqit.

Pacolli ka thënë se konfiskimi i pasurive të Radoiçiq i cili ka operuar për një kohë të gjatë në Kosovë, ka qenë vetëm çështje kohe.

“Kjo ka qenë çështje kohe se kur do të fillojë konfiskimi i aseteve të këtij grupi kriminal, pra këtij kryekrimineli i cili ka operuar në Kosovë për një kohë të gjatë. Tani pasuritë e tij janë konfiskuar dhe do t’i jepen në shfrytëzim institucioneve të Kosovës, në këtë rast veturat të cilat janë konfiskuar i janë dhënë Policisë së Kosovës”, është shprehur ajo.

Më tej, deputetja e LVV-së,  sekuestrimin e këtyre pasurive, e ka parë si mesazh të fillimit të zbatimit të ligjshmërisë në veri.

Ndërsa, ajo po ashtu ka vlerësuar se ky veprim i institucioneve të vendit, është një mesazh për të gjithë ata që kanë krijuar pasuri jashtëligjshëm.

“Kjo është një mesazh shumë i qartë se në Kosovë po fillon të zbatohet ligjshmëria, derisa kryekrimineli Radoiçiq ka operuar i lirë disa vite në Kosovë, ka krijuar pasuri marramendëse përmes krimit të organizuar e parave që ka marr nga Serbia. Tash nuk ka hapësirë që ky person të krijojë biznese të jashtëligjshme, ky është një mesazh I qartë për të tjerët që janë pasuri jashtëligjshëm”, ka shtuar ajo.

Kujtojmë që gjatë ditës, ministrja Albulena Haxhiu, publikoi një listë të gjatë të pasurive të Radoiçiqit, për të cilin tha se u bë milioner përmes krimit.

“Pra, për vete milioner përmes krimit e qytetarëve terrorin dhe varfërimin. Por, kjo epokë ka marrë fund. Ka ardhur koha që qytetarët të jetojnë të qetë e kriminelët të ndëshkohen”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat