Kurti: Në Rezallë 98 burra dhe djem u pushkatuan për 30 minuta vetëm për shkak se ishin shqiptarë

Aktuale

Kurti: Në Rezallë 98 burra dhe djem u pushkatuan për 30 minuta vetëm për shkak se ishin shqiptarë

Më: 5 prill 2024 Në ora: 11:19
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar se si në Rezallë të Skënderajit, 98 burra dhe djem u pushkatuan vetëm për shkak se ishin shqiptarë. Të shtënat kishin zgjatur 30 minuta.

Kurti kujton se pas ekzekutimit mizor e barbarë më 5 prill 1999, forcat e armatosura të Serbisë ua rrëmbyen kufomat.

“29 prej tyre janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi. Nga Kizhevaku i Serbisë, më 30 shtator 2021, na u kthyen në Kosovë eshtrat e shtatë prej të vrarëve në këtë masakër. Mes tyre ishin edhe dy ribashkime me eshtrat e zhvarrosura vite më parë nga varreza masive në Rudnicë të Serbisë”, shkroi Kurti në Facebook.

Andaj, shkruan Kurti, “sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që nga Serbia, si përgjegjëse për vrasjen dhe zhdukjen e të dashurve tonë, të kërkojnë zbardhjen e plotë të fatit të tyre dhe drejtësi për viktimat dhe familjet”.

“Drejtësia vendore duhet pa vonesë dhe me ngulm të veprojë, që përgjegjësit, urdhërdhënësit dhe ekzekutorët, të gjykohen e të dënohen. E vërteta e krimeve të Serbisë në Kosovë nuk mund të mbulohet nga dheu i varrezave masive. Nuk mund të lejojmë harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë”, shkroi tutje kryeministri Kurti.

“Duke nderuar të kaluarën, me drejtësi për viktimat, angazhohemi për të ardhmen e Republikës sonë. Për Kosovën e pavarur, ku brezat e rinj rriten të lirë e të sigurt. Duke mësuar nga e kaluara, ecim përpara me shpresë dhe vendosmëri. Përkujtimi ynë është dëshmi e përkushtimit për të mos harruar sakrificat për të shtrenjtën e shenjtën liri. I përjetshëm qoftë kujtimi i martirëve të kombit nga Rezalla! Lavdi!”, përfundoi Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat