​Personalitete botërore në Forumin WPS, organizuar nga presidentja Osmani

Aktuale

​Personalitete botërore në Forumin WPS, organizuar nga presidentja Osmani

Më: 14 prill 2024 Në ora: 18:51
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Edicioni i dytë i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, nën organizimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani do të mbahet në Prishtinë më 15 dhe 16 prill. Ky edicion do të mirëpresë pjesëmarrës nga më shumë se 40 shtete botërore me rreth një mijë pjesëmarrës.

Presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për media sot ka dhënë detaje rreth temave që do të diskutohen gjatë forumit dyditor.

Ajo tha se përmes këtij forumi duan të përçojnë mesazhin se pa pjesëmarrjen e gruas në vendimmarrje nuk ka paqe dhe siguri të qëndrueshme në botë.

Osmani: Forumi i dedikohet fuqizimit të zërave të grave

“Forumi është një platformë që i dedikohet fuqizimit të zërave të grave dhe rolit vendimtar të cilët ato luajnë në ndërtimin e paqes, në zgjidhjen e konflikteve dhe përpjekje për rindërtim të pasluftës, si dhe në sektorin e sigurisë. Përveç trajtimit të pasojave të luftës, ndërtimeve të sistemeve për të mbështetur të mbijetuarit, fuqizimin e rolit të grave në procesin e dialogut e shumë tema të tjera, në forum këtë vit do të trajtohet edhe tema e sigurisë klimatike, një nga shqetësimet kryesore anë e mbanë botës. Duam të përçojmë mesazhin e grave se pa gra në vendimmarrje nuk ka paqe e as siguri të qëndrueshme”, tha Osmani.

Forumi WPS 2024 sjell liderë, ekspertë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, ndikues, të rinj dhe grupe të tjera të interesit së bashku në zemër të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar sfidat aktuale globale të paraqitura në agjendën e WPS gjatë kohërave të pasigurta, si dhe për të elaboruar rëndësinë e kësaj agjende për paqen e qëndrueshme.

Ky edicion i forumit do të fokusohet ekskluzivisht në ndërtimin e përpjekjeve të përbashkëta për të trajtuar dhunën seksuale të lidhur me konfliktin, si dhe në identifikimin e mjeteve dhe politikave për të ndihmuar gratë dhe vajzat të lundrojnë më të sigurta në kohën e kërcënimeve gjithnjë në rritje të sigurisë klimatike.

Objektivi i forumit është të adresojë kërcënimet historike për sigurinë e grave së bashku me sfidat e reja të sigurisë, me qëllimin përfundimtar për të bashkuar forcat për të avancuar më tej agjendën e WPS.

Si iniciativë e presidentes Osmani, ky forum përfaqëson një nga angazhimet në anën e institucioneve të Kosovës për Samitin për Demokraci dhe do të shërbejë për shkëmbimin e praktikave më të mira, si dhe për zhvillimin e strategjive dhe hartimin e kornizave të reja veprimi në vazhdën e një arkitekture gjithnjë në ndryshim të sigurisë dhe paqes në Evropë dhe përtej.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat