​Pak persona të dënuar për krimet e luftës në Kosovë

Aktuale

​Pak persona të dënuar për krimet e luftës në Kosovë

Më: 19 prill 2024 Në ora: 13:45
Foto nga vendi i ngjarjes

“Gjatë këtij viti, Zyra e PSRK-së (Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës) ka ngritur 15 aktakuza në drejtim të veprës penale ‘krim i luftës kundër popullatës civile’. Prej 15 aktakuzave të ngritura, tetë prej tyre janë ngritur në mungesë kundër 61 pjesëtarëve të forcave serbe dhe shtatë aktakuza janë ngritur ndaj shtatë pjesëtarëve të forcave serbe të cilët janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe të cilët ndodhen në paraburgim", kështu është bërë e ditur nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) në tryezën e rrumbullakët të organizuar sot me temën “Perspektiva për drejtësinë për krimet e luftës - 25 vite më pas”.

Përmes titullit të raportit "Fillimi i një Faze të Re në Gjykimin e Krimeve te Luftës", FDHK ka transmetuar mesazh drejt publikut dhe institucioneve përgjegjëse rreth gjendjes aktuale të rasteve të krimeve të luftës.

Në këtë takim është kërkuar edhe bashkëpunim më i madh në mes instancave më të larta shtetërore të Kosovës, teksa theks të veçantë iu dha edhe mungesës së relacioneve me shtetin e Serbisë duke e bërë të vështirë kërkimin për dënimin e dorasëve të këtyre krimeve.

Në fjalën e tij, zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli ka theksuar se Kosova është një storie suksesi për gjithë botën me arritjet që ka shënuar, porse ka shtuar se nuk duhet harruar e kaluara e saj. Ai është zotuar se përmes politikave të saj, do të marrin masat e duhura për gjithë ata që kanë shkaktuar krime në këtë vend.

Qorrolli: Kosova është një storie suksesi për të gjithë botën për luftën e drejtë për çlirim

“Kosova është një storie suksesi për të gjithë botën për luftën e drejtë për çlirim dhe Republika jonë po avancon me ritëm dinamik për familjen euro atlantike dhe duke i dëshmuar botës suksese të larta me arritjen e qytetarëve të saj, megjithatë Kosova nuk mund dhe nuk duhet të shkeputët nga e kaluara e saj, Kosova nuk mund të harroj sakrificën që ka bërë ky populli ynë. Si rrjedhojë, Kosova duhet të avancojë edhe më tej, të avancojë në forcimin e drejtësisë dhe të angazhohet për dënimin e të gjithë atyre të krimineleve të luftës që fatkeqësisht shumica ata ende lëvizin lirshëm nëpër Serbi dhe jo vetëm. Ministria Drejtësisë në këtë drejtim është angazhuar për adresimin e shkeljeve të rënda të drejtave të njeriut, krimeve të luftës krimeve kundër njerëzimit duke zhvilluar bazën ligjore e cila kishte munguar për shumë vite njëkohësisht duke rritur kapacitetin e institucioneve për adresimin efikas të këtyre çështjeve me propozimin e qeverisë si rrjedhojë e kësaj është miratuar ligji për institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë”, tha ai.

Ndërkaq, Christoph Fuchs nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka thënë se implementimi i rekomandimeve do të rrisë performancën dhe do të përforcojë institucionet e përfshira.

Fuchs: Krimet e luftës nuk do të harrohen dhe kryesit do të jenë përgjegjës

“Çdo gjykim i suksesshëm, jo që e sjell të vërtetën në dritë por tregon që krimet e luftës nuk do të harrohen dhe kryesit do të jenë përgjegjës. Implementimi këtyre rekomandimeve pa dyshim që do të rrisë performancën dhe do t’i përforcojë këto institucione të përfshira”, tha Fuch.

Koordinatori i projektit pranë FDHK, Amer Alija, derisa ka prezantuar raportin, ka theksuar se fillimi i gjykimeve në mungesë për krime të luftës në Kosovë shënon një kthesë të re në procedimin e rasteve të krimeve të luftës.

Ai tha se që nga përfundimi i luftës në Kosovë, institucionet gjyqësore, qoftë vendore apo ndërkombëtare kanë dënuar vetëm 74 persona për krimet e luftës në Kosovë, e në anën tjetër janë vrarë më shumë se 10.000 viktima civile.

Alija: Fillimi i gjykimeve në mungesë për krime të luftës në Kosovë shënon një kthesë të re në procedimin e rasteve të krimeve të luftës

"Fillimi i gjykimeve në mungesë për krime të luftës në Kosovë shënon një kthesë të re në procedimin e rasteve të krimeve të luftës, duke paraqitur një sfidë të re për sistemin gjyqësor në Kosovë. Kjo fazë do të jetë një test i rëndësishëm për aftësinë dhe pavarësinë e gjyqësorit kosovar për të ofruar drejtësi në raste të tilla të ndjeshme. Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, institucionet gjyqësore qoftë vendore apo ndërkombëtare kanë dënuar vetëm 74 persona për krimet e luftës në Kosovë, e në anën tjetër janë vrarë më shumë se 10.000 viktima civile. Gjatë vitit 2023 kanë filluar ose në faza të ndryshme janë zhvilluar procedurat penale në 26 lëndë kundër 81 pjesëtarëve të forcave serbe dhe një pjesëtar të UÇK-së", tha ai.

Ndërsa, Alija gjatë prezantimit të raportit ka rekomanduar që krijimi i bashkëpunimit afatgjatë mes gjyqësorit të Kosovës dhe gjyqësorin ndërkombëtar dhe rajonal me qëllim të shkëmbimit të përvijave dhe aftësimit sa më profesional në fushën e krimeve të luftës. Po ashtu një prej rekomandimeve ka qenë edhe që Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet t'i përzgjedh edhe katër prokurorë të tjerë në kuadër të Departamentit për Krime të Luftës të PSRK-së, për të cilët që nga viti 2022 është ndarë buxheti nga Qeveria e Kosovës.

Në anën tjetër, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, ka thënë se kjo gjykatë iu ka dhënë prioritet absolut trajtimit të rasteve të krimeve të luftës në raport me gjitha rastet tjera.

Shabani-Rama: Gjykata Themelore e Prishtinës, trajtimit të rasteve të krimeve të luftës iu ka dhënë prioritet absolut

"Gjykata Themelore e Prishtinës, trajtimit të rasteve të krimeve të luftës ju ka dhënë prioritet absolut në raport me gjitha rastet që nga momenti i krijimit të njejtit. Viteve të fundit është bërë një progres i jashtëzakonshëm, fakti që ka pas një efikasitet në trajtimin e këtyre rasteve, konsideroj se gjitha rastet që janë trajtuar kanë qenë në një afat të arsyeshëm. Fakti që prej vitit të kaluar kanë filluar të ngriten aktakuzat në mungesë është një prioritet për viktimat që të trajtohen rastet që kanë pritur me vite të tëra e që për gjykatën ka qenë sfidë, por falë bashkëpunimit janë caktuar seancat e para dhe shumë shpejt do të kemi edhe aktgjykimet e para në mungesë", tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat